Lidhje

Presidenti turk i kërkon Kosovës rishqyrtimin e vendosjes së ambasadës në Jerusalem


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi sërish Kosovës rishqyrtimin e vendimit për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Turqia i kërkon Kosovës rishqyrtimin e vendosjes së ambasadës në Jeruzalem
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Kërkesa e tij ishte pjesë e urimit për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili të hënën u zgjodh për herë të dytë në këtë post.

Në letrën e presidentit Erdogan thuhet se “Turqia, si gjithmonë, edhe në periudhën e ardhshme, do të solidarizohet në çdo fushë me popullin vëlla të Kosovës. Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni, gjithashtu, shqetësime në lidhje me çështjen e ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kuadrit të rezolutave përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare", thuhet mes tjerash në letrën e urimit të presidentit turk.

Kosova hapi më 14 mars ambasadën e saj në Jerusalem duke nxitur reagimin e autoritetit palestinez, disa vendeve të Ligës Arabe dhe të Turqisë e cila u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës “të heqin dorë nga ky hap, siç u tha, i papërgjegjshëm”.

Hapja e ambasadës u bë pak kohë pasi që Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatike në bazë të një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë, e cila u arrit në kuadër të një dakordimi për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë - Serbi të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë në shtator të vitit të kaluar.

Bashkimi Evropian e vlerësoi për keqardhje vendimin e Kosovës po ashtu.

Kosova u bë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në Jerusalem.

Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

Turqia radhitet e treta në mesin e investitorëve më të mëdhenj në Kosovë dhe ishte ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Analistët besojnë se reagimet rreth hapjes së ambasadës në Izrael nuk do të kenë ndikim në marrëdhëniet dypalëshe Kosovë - Turqi, ndërsa tërheqin vërejtjen se vendndodhja e ambasadës përcaktohet nga vendi mikpritës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe është njohur nga mbi 100 vende të botës, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Njohja nga Izraeli është vlerësuar si një nga njohjet më të rëndësishme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG