Lidhje

Dhjetëra të shoqëruar në polici gjatë një proteste para UP-së


Grupe studentësh të Universitetit publik të Prishtinës, protestuan duke kërkuar dorëheqjen e rektorit dhe hetimin e siç thuhet, keqpërdorimeve në këtë institucion

Dhjetëra studentë të Universitetit të Prishtinës, janë shoqëruar në polici, gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit për të shpërndarë një grup protestuesish që kishin bllokuar hyrjen në ndërtesën e Rektoratit të këtij Universiteti.

Policia tha se ka shoqëruar 25 protestues, ndërsa nuk ka konfirmuar nëse ka pasur të lënduar gjatë ndërhyrjes.

Protesta e sotme ishte organizuar nga Lëvizja Studentore për barazi, studim kritikë, veprim, e cila kërkon dorëheqjen e menjëhershme të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, hetimin e siç thuhet keqpërdorimeve në këtë universitet, vërtetimin e gradave shkencore të mësimdhënësve dhe largimin e ndikimeve politike në këtë institucion.

Protesta pasoi një periudhë debatesh mbi zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, që është institucioni më i madh e më i vjetër i arsimit të lartë në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 2013 11 persona u arrestuan nën dyshimet për falsifikim dhe mitmarrje në Universitetin e Prishtinës. Ditëve të fundit janë shtuar debatet rreth punimeve shkencore të një numri mësimdhënësish të graduar në këtë Universitet përfshirë edhe rektorin e tij.
XS
SM
MD
LG