Lidhje

KS i OKB-së debaton sonte për Kosovën


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon vlerëson se viti 2013 ishte vit i ndryshimeve domethënëse dhe përparimit thelbësor politik sa i përket Kosovës

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, e ka vlerësuar vitin 2013 periudhë të përparimit thelbësore në marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Komentet e tij janë pjesë e raportit mbi situatën në Kosovë në periudhën nga 16 tetori i vitit 2013 e deri më 20 janar të këtij viti, që do të diskutohet sonte në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e sekretarit të përgjithshëm thuhet mes tjerash se “nisur nga marrëveshjet historike të arritura ndërmjet Prishtinës e Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, viti 2013 ishte vit i ndryshimeve domethënëse dhe përparimit thelbësor politik sa i përket Kosovës”.

Raporti përshkruan zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në të cilat ishin përfshirë edhe komunat veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Raporti vlerëson se zgjedhjet ishin zhvilluar “në masë të madhe në mënyrë paqësore në gjithë Kosovën, sipas një kuadri të vetëm ligjor”, ndërsa nënvizohet ecuria e zgjedhjeve në veriun e Mitrovicës, ku do të ketë rivotime për kryetarin e kësaj komunë më 23 shkurt.

Duke vlerësuar lartë hapjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe ato për marrëveshjen e stabilizim asociimit me Kosovën, sekretari i përgjithshëm thekson në raport se në vitin 2014-të, duhet të vazhdojnë përpjekjet për forcimin e arritjeve në bisedimet e vitit të kaluar bashkë me rrugën drejt pajtimit rajonal, qëndrueshmërisë dhe përparimit.

Në takimin e sontëm të Këshillit të Sigurimit, do të marrin pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët më 12 shkurt pritet të vazhdojnë raundin e ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Tash për tash është e paqartë se si do të vazhdojnë bisedimet, pas takimit të radhës meqë Serbia më 16 mars mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa edhe Kosova brenda vitit do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme.
XS
SM
MD
LG