Lidhje

Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debaton të enjten situatën në Kosovë në dritën e raportit të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-moon.

Në raportin e tij 17 faqesh, sekretari i përgjithshëm “dënon përdorimin e dhunës dhe frikësimit nga partitë opozitare për të penguar procedurat normale në parlamentin e Kosovës”.

Ai i cilëson “të papranueshme sulmet fizike nga veprimtarët e opozitës të drejtuara kundër kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë së tij”.

Zoti Ban u ka bërë thirrje “të gjithë aktorëve politikë që të përmbahen nga retorika dhe veprmet që nuk janë në pajim me parimet dhe normat e shoqërisë demokratike dhe të qytetëruar”, që sipas tij, “e dëmtojnë besimin e publikut në institucione dhe po ashtu e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë”.

Raporti përfshinë zhvillimet nga 16 korriku deri më 15 tetor të këtij viti.

Në mbledhjen e sontme të Këshillit të Sigurimit, Kosovën do ta përfaqësojë ambasadorja e saj në SHBA, Vlora Çitaku, ndërsa Serbinë, ministri i jashtëm, Ivica Daçiç.

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

XS
SM
MD
LG