Lidhje

Damon Wilson në Kosovë për bisedimet me Serbinë


Zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, me seli në Shtetet e Bashkuara, Damon Wilson, së bashku me një delegacion amerikan, po qëndron për një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës ka takuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Zoti Wilson shkroi në rrjetin twitter se "bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë në qendër të takimeve sikundër edhe reformat e nevojshme për një të ardhme më të ndritur për popullatën e re të Kosovës".

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë në njoftimet e zyrave të tyre theksohet se me zotin Wilson është biseduar për të ardhmen e Kosovës dhe bisedimet me Serbinë, si dhe mbështetjen e Këshillit të Atlantikut ndaj Kosovës në procesin e bisedimeve.

Në një komunikatë të zyrës se presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, thuhet se presidenti tërhoqi vërejtjen se “mungesa e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon dhe se sipas tij kjo u hap rrugë edhe elementeve antievropiane”.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar ndërkaq se pret që Shteteve të Bashkuara të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur Kosovën në procesin e bisedimeve.

Komunikata citon zotin Wilson, të ketë shprehur, siç thuhet, angazhimin e tij edhe më shumë brenda SHBA-ve për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj përmes llogarisë së tij në Facebook tha se “Kosova është e gatshme të arrijë një marrëveshje paqeje me Serbinë, por asnjëherë duke shkelur kushtetutën apo cenuar territorin. Synimi final i vendit tonë është dinamizimi i konsolidimit të shtetit dhe në këtë rrugëtim mbështetja e ShBA-së mbetet jetike”, shkroi ai pas takimit me zotin Wilson.

Këshilli Atlantik, një forum për çështjet ndërkombëtare, shpeshherë nxjerrë raporte për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku bën thirrje që komuniteti euro-atlantik të përqendrohet në këtë rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG