Lidhje

Kosovë, thirrje për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe të arsimit


Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian u zotuan sot të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën, por bënë thirrje për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe për depolitizimin e sistemit të arsimit, si dy nga çështjet kryesore për përparimin e Kosovës.

Ata i bënë këto komente gjatë punimeve të Forumit të Lartë për bashkërendimin e donacioneve ku u prezantuan dhurimet e këtij viti nga vendet kryesore perëndimore në Kosovë.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, tha se zyra e saj që nga viti 2007 ka menaxhuar më shumë se 160 milionë euro për sistemin e drejtësisë. Ajo bëri thirrje për ndryshimin e disa ligjeve që do të hapnin mundësinë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Unë besoj se së pari duhet përqendrim në ndryshimet e kodit penal dhe kodit të procedurës penale, që merren me pezullimin ose heqjen e zyrtarit publik që identifikohet apo dënohet për korrupsion. Së dyti, miratimi i ligjit të ri mbi konfliktin e interesit dhe rregulloret përkatëse, së treti miratimi i ligjit të prokurorit të shtetit me qëllim të përforcimit të zyrës së posaçme të prokurorisë, së katërti miratimi i ligjit për disiplinën dhe seriozitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në fund ndryshimi i ligjit mbi zgjerimin e kompetencave për konfiskim”, tha zonja Apostolova.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Greg Delawie vuri në dukje reformat e menjëhershme që duhen të ndërmerren në sistemin e arsimit për të përgatitur të rinjtë për ekonominë e Kosovës.

“Së pari dhe më kryesorja është një nevojë vendimtare për të depolitizuar rekrutimin e mësuesve, drejtorëve të shkollave dhe drejtorëve komunalë. Meritat janë e vetmja konsideratë kur bëhet fjalë për marrjen e përgjegjësisë për edukimin e të rinjve të Kosovës. Çdo gjë më pak është dëmtim i tyre dhe do të vazhdojë të rrezikojë të ardhmen e Kosovës”, tha ambasadori Delawie.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinajt tha se qeveria e tij përballet me sfida të shumta dhe sipas tij përkrahja e vazhdueshme e vendeve perëndimore do të jap rezultate që në të ardhmen Kosova të bëhet partnere e këtyre vendeve.

“Kosova do ta risë përgjegjësinë e menaxhimit të parasë publike dhe njëkohësisht do të rrisë edhe përgjegjësinë e menaxhimit të të gjitha donacioneve së bashku në Kosovë dhe me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit i cili e ka përcjellë Kosovën në vazhdimësi, mirëpo një korrupsion që gjithashtu e ka rritë edhe reagimin e qytetarëve...”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë në çuarjen përpara të reformave të nevojshme dhe që do t’i hapin rrugë vendit në integrimet evropiane dhe euro-atlantike, një qëllim ky që sipas tij edhe pas dy dekadave që nga përfundimi i luftës mbetet i njëjtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG