Lidhje

DASH dënon vrasjen e politikanit lokal serb


Në reagimin e departamentit amerikan të shtetit ndaj vrasjes së anëtarit të kuvendit komunal të veriut të Mitrovicës, thuhet se dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në procesin politik

Departamenti amerikan i shtetit dënoi vrasjen e anëtarit të kuvendit komunal të veriut të Mitrovicës, Dimitrie Janiçijeviç.

Në një deklaratë për opinion, thuhet se Shtetet e Bashkuara u bashkohen qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë në dënimin e vrasjes së Dimitrije Janiçijeviçit, ish kandidat për postin e kryetarit të komunës dhe anëtar i zgjedhur i kuvendit të komunës së veriut të Mitrovicës.

Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes Janiçijeviç dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të udhëheqin një hetim të plotë, të shpejtë dhe të vënë përgjegjësit para drejtësisë.

Shtetet e Bashkuara nënvizojnë mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e plotë të marrëveshjes së 19 prillit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë edhe themelimin e institucioneve legjitime, demokratike dhe të efektshme dhe forcimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës me qëllim që njerëzve që jetojnë atje t’u sigurohet një e ardhme më e mirë. Dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në procesin politik dhe vetëm mund të pengojnë këto aspirata.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha komuniteteve dhe partive politike në Kosovë që të punojnë së bashku për të ulur tensionet dhe për të respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të shtetit.

Dimitrie Janiçijeviç, u vra në rrethana të pasqaruara para shtëpisë së tij në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe.

Vrasja e tij, nxiti reagime të shumta të institucioneve vendase e ndërkombëtare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG