Ambasada amerikane në Kosovë tha të mërkruën se dhuna që vë në shënjestër komunitetet pakicë duhet të jetë e papranueshme për të gjithë qytetarët që besojnë në paqe dhe drejtësi
Këto komente pasuan njoftimin se i ishte vënë flaka një shtëpie të pabanuar të një pjesëtari të komunitetit serb në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit.
Zyrtarë të kësaj komune thanë se sipas hetimeve të para “zjarri është shkaktuar nga pakujdesia nga një grup i të rinjve, të cilët pa leje kanë hyrë dhe shfrytëzuar shtëpinë private”.
Në një njoftim thuhet se “kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka dënuar aktin e djegies së shtëpisë private të Svetozar Cvetkoviç, në fshatin Cernicë, e cila ka qen e pabanueshme. Hetimet po vazhdojmë dhe në emër të Komunës së Gjilanit e dënoj aktin dhe kërkoj nga organet e drejtësisë që ta thonë fjalën e tyre sa më shpejtë”, thuhet në njoftim.
Ambasada amerikane në një postim në rrjetet sociale tha se “dhuna që vë në shënjestër komunitetet pakicë, përfshirë pretendimet për zjarrvëniet në shtëpitë e serbëve të Kosovës, duhet të jetë e papranueshme për të gjithë qytetarët që besojnë në paqe dhe drejtësi.
Incidente të tilla duhet të hetohen në tërësi dhe të ndiqen", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Facebook Forum