Lidhje

Kosnett kritikon projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, kritikoi të mërkurën projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si “mënyrë të gabuar për të shprehur respektin për UÇK-në”.

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nismë e Partisë Demokratike mbështetur nga qeveria e Kosovës më 14 korrik, është dërguar në kryesinë e parlamentit dhe së shpejti mund të hidhet para deputetëve për votim.

“Ky ligj kriminalizon fjalën e lirë, frikëson qytetarët si dhe është i kushtueshëm. Shpërqendro përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës”, tha ambasadori Kosnett në një postim në rrjetet sociale.

Nëse projektligji miratohet në parlamentin e Kosovës, zbatimi i tij do të kushtonte rreth 2 milionë e 250 mijë euro.

Projektligji parasheh përcaktimin e detyrimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji konsiderohet lufta e armatosur e popullit të Kosovës e udhëhequr nga UÇK-ja, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG