Lidhje

Presidenti Obama uron Kosovën


Presidenti amerikan, Barack Obama i ka uruar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama i ka uruar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në urimin e transmetuar nga zyra e presidentes Jahjaga thuhet se “viti që kemi lënë pas ka qenë në veçanti i rëndësishëm për Kosovën. Vendi juaj ka bërë hapa historikë në realizimin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe në anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.

Në telegram thuhet mes tjerash se, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ekonomi, si dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithëpërfshirës dhe shumëkombësh.

Po ashtu, aty theksohet edhe përparimi në dialogun me Serbinë, “që ka çuar përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjët tuaj dhe i gjithë rajoni”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në telegram, “janë krenare që janë miqtë tuaj të ngushtë dhe partner dhe mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar”.

Zyra e presidentes së Kosovës ka transmetuar edhe urimet e udhëheqësve të tjerë botëror me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj, ndërsa është njohur nga mbo 90 vende të botës.
XS
SM
MD
LG