Lidhje

Kërkohet drejtësi për viktimat e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën në Prishtinë se është e pa drejtë dhe e pa pranueshme që 20 vjet pas luftës, barra e fajësisë për përdhunimet gjatë saj të vazhdojë të bjerë mbi të mbijetuarit e kësaj dhune, dhe jo mbi kryerësit e saj.

Kërkohet drejtësi për viktimat e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Ai i bëri këto komente gjatë një konference të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, me moton “Të gjithë së bashku me një zë”, që mblodhi për herë të parë përfaqësuesit e bashkësive fetare përveç Kishës Ortodokse Serbe, në mbështetje të të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës.

Realisht në një formë apo në një tjetër ka ndodhur një amnisti e heshtur e drejtësisë ndërkombëtare përballë shtetit të Serbisë dhe kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë dhe këtë duhet ta themi botërisht. Përveç që kërkojmë drejtësi duhet të kërkojmë edhe qartësi, përse po ndodhë kjo amnisti e heshtur nga faktori ndërkombëtar”, tha zoti Thaçi.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, tha se shoqëria është vonuar shumë në trajtimin e duhur të të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës.

Për të mos i arritur ato efekte që kanë pasur për synim dhunuesit, jemi të obliguar, e kemi obligim nga Zoti, e kemi detyrim shtetëror, e kombëtar që këtë kategori ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht. T’i rehabilitojmë në familje e në rrethe, t’i integrojmë në institucione e në shoqëri sepse ato mbi veten e tyre nuk mbajnë asnjë fije faji”, tha ai.

Ai bëri thirrje që të gjithë duke filluar nga familja, e deri te institucionet shtetërore t’i nderojnë e mbështesin viktimat e këtij krimi.

"Të dhunuarit sipas fesë islame kanë tretmanin e të ndershmëve, në Kuranin fisnik Zoti i madhërishëm thotë “kush i detyron me dhunë të bëjnë atë, Allahu i falë ato, pas atij detyrimi Allahu falë dhe është mëshirues”. Atëherë të nderuara nëna, vajza e motra ju porosis të dëgjoni se çfarë thotë Zoti për ju, e jo çfarë ju thonë ata që ju fajësojnë pa të drejtë”, tha zoti Tërrnava.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike, Dom Lush Gjergji, tha se të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës nuk duhet të heshtin, por as rrethi i tyre nuk duhet të heshtë siç ka bërë deri tash.

Unë mendoj se së pari duhet të shërohemi ne, të cilët deri tash nuk kemi pasur forcë morale e shpirtërore dhe guxim për t’u ballafaquar me këtë çështje, se aty këtu i kemi shikuar me sy të dyshimit ndoshta edhe të përbuzjes më së paku të asaj që është e vërtetë për bijat, motrat dhe nënat tona që u ka ndodhur një tragjedi e vërtetë e cila duhet të prekë mendjen dhe zemrën e secilit”, tha ai.

Ende nuk dihet numri i saktë, por besohet se mijëra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Thuhet se numri i tyre mund të jetë rreth 20 mijë, por numri i saktë mbase nuk do të mësohet kurrë dhe rrëfimet rreth tyre deri vonë ishin shumë të pakta për shkak të frikës nga stigmatizimi. Deri tash askush nuk është dënuar për këtë krim, ndonëse është i dënueshëm me ligjet vendase e ndërkombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG