Lidhje

Konfirmohet akuza ndaj Kadri Veselit


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është njoftuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.

"Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra. Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrahur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces", thuhet në një deklaratë të zotit Vesli që u shpërnda nga partia e tij.

Prokuroria e Specializuar nuk ka bërë të ditur ndonjë njoftim rreth konfirmimit të aktakuzës, njoftimi për të cilën u publikua më 24 qershor, kur prokuroria tha se ka ngritur akuza të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Zoti Veseli, një nga ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është personi i katërt me akuzë të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Të mërkurën prokuroria arrestoi Jakup Krasniqin, ish zëdhënës i UÇK-së, ndërsa Rexhep Selimi, një nga drejtuesit e lartë të saj, u nis të enjten për në Hagë pas njoftimit se është konfirmuar akuza kundër tij.

Në shtator, prokuroria arrestoi Sali Mustafën.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG