Lidhje

Rexhep Selimi para Gjykatës së Posaçme: Ndjehem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës


Një nga ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, u paraqit të mërkurën në Gjykatën e Posaçme për krime të luftës në Kosovë duke u deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rexhep Selimi para Gjykatës së Posaçme: Ndjehem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Zoti Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, javën e kaluar dërgua në Hagë për t'u përballur me akuzat e Prokurorisë së Posaçme, e cila e ngarkon atë për veprat; përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Sipas prokurorisë, "krimet janë kryer midis afërsisht prillit 1998 dhe gushtit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë – Bare, Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende të tjera në komunën e Podujevës, në Drenoc dhe vende të tjera në komunën e Rahovecit, malet e Berishës në Llapushnik dhe vende të tjera në Drenas, Ferizaj dhe vende tjera në këtë komunë, Gjilan, Jabllanicë në Gjakovë, disa vende në Kaçanik, Kleçkë dhe vende të tjera në Lipjan, Likoc dhe vende tjera në Skenderaj, Malishevë dhe vende të tjera në këtë komunë, Shpella e Volljakës në Klinë, Novobërdë, Zllashë dhe vende të tjera në Prishtinë, Prizren dhe vende të tjera në këtë komunë, Suharekë dhe vende të tjera në këtë komunë, Viti si dhe Cahan e Kukës në Shqipërinë Veriore".

Krimet, thuhet në akuzën e prokurorisë, "u kryen si pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundrejt popullatës civile në Kosovë dhe Shqipëri midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Në veçanti krimet kishin në shënjestër njerëz që kishin bashkëpunuar ose kishin lidhje me zyrtarë të institucioneve shtetërore të ish Jugosllavisë, ose nuk përkrahnin metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të përkatësisë etnike serbe, rome e të tjera".

Zoti Selimi tha se akuza është e pasaktë dhe e padrejtë ndaj tij por edhe popullit dhe shtetit të Kosovës.

"As unë e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk kemi të bëjmë asgjë më krime dhe as ndërmarrje të përbashkët kriminale siç thuhet në akuzë", tha ai.

Zoti Selimi, është një nga katër ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan javën që lamë pas nga prokuroria e Posaçme.

Me të njëjtat akuza prokuroria e ngarkon edhe ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe kryetarin e deritashëm të Partisë Demokratike Kadri Veselin, të cilët u deklaruan të pafajshëm të hënën dhe të martën në paraqitjen e tyre para Gjykatës së Posaçme.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme që nga janari i vitit 1999, ndërsa i arrestuari i parë ishte Sali Mustafa i cili akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Zoti Mustafa mohoi akuzat në paraqitje e tij para gjykatës më 28 tetor.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG