Lidhje

Ish udhëheqësit e UÇK-së para gjykatës në Hagë


Kosovo/Special Court

Mbrojtja e ish presidentit Hashim Thaçi, ish kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish kryetarit të parlamentit, Jakup Krasniqi, kërkoi të mërkurën mbrojtjen në liri të të akuzuarve, ndërsa kritikoi Prokurorinë e Posaçme lidhur me hartimin e akuzave ndaj ish drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

Ata i bënë këto komente gjatë një konference në Gjykatën e Posaçme për krime lufte në Hagë në të cilën u shqyrtua ecuria e çështjes së lëndës ndaj katër të akuzuarve.

Prokuroria e Posaçme dhe avokatët nuk u pajtuan për kohën e fillimit të procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve.

“Realiteti është se nga informatat tashmë të ditura, mbrojtja e njeh rastin, rasti nuk është befasi për mbrojtjen dhe për mënyrën që do të paraqesin mbrojtjen e tyre. Në pikëpamjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk ka arsye që gjykimi për këtë çështje të mos nisë në verën e vitit 2021", tha përfaqësuesja e prokurorisë.

Por, avokati i ish presidentit Hashim Thaçi, David Hooper dhe ai i Kadri Veselit Ben Emmerson, thanë se duhen të paktën 18 muaj që të nisë procesi.

“Unë e konsideroj absolutisht absurde sugjerimin që kjo çështje të shkojë në gjyq në qershor. Ky është një rast i komplikuar dhe nuk mund ta shoh këtë rast të filloj para verës së vitit 2022”, tha zoti Hooper.

“Duke dëgjuar prokurorinë se mbrojtja tashmë i di aktakuzat dhe nuk u duhet hetime është tronditëse. Gjendja reale është se do të duhen të paktën 18 muaj për të hetuar”, tha avokati Emmerson.

Zoti Emmerson kritikoi ashpër cilësimin e prokurorisë e cila i quan të akuzuarit si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje spontane dhe minimalisht e për të mbrojtur popullatën civile nga gjenocidi dhe kriminelët serbë.

“Më shumë se 10 mijë civilë shqiptarë janë vrarë nga forcat serbe, në një numër të masakrave të planifikuara dhe se vendi u përfshi në kaos, në zbatim minimal të ligjit dhe në dhunë. Ata janë varrosur në varreza masive nga forcat serbe dhe shumë pastaj u zhvarrosën ndërsa mbetjet e tyre u dërguan në Serbi ku janë fshehur në Danub për të fshehur krimet”, tha ai.

Ish udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan dy javë më parë nga Prokuroria e Posaçme me akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Prokuroria i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Në paraqitjen e parë para gjykatës javën e kaluar ata hodhën poshtë akuzat ndaj tyre.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG