Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë shprehur shqetësimin me siç thuhet përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Posaçme si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”.
Në një komunikatë për opinion të këtyre ambasadave thuhet se “Dhomat e Posaçme, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në territorin e saj”.
“Vendet e Quint-it kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira. Që nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve tanë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në zhvillimin tuaj, ne kemi punuar shumë për të mbështetur vendin tuaj. Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne do të këmbëngulim gjithmonë që Kosova të mbështesë drejtësinë”,thuhet në komunikatë.
Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore thanë se nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Posaçme ndërsa u bënë thirrje udhëheqësve të institucioneve, partive apo deputetëve, që të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Posaçme.
“Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë në Kosovë. Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë”, thuhet në komunikatë.
“Në të njejtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë. Krijimi i Dhomave të Posaçme ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmoj përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe të vazhdojë të pranoj mbështetjen ndërkombëtare. Me ndihmën tonë, Kosova ka shënuar përparim në shtatë vitet e fundit për arsye të përkushtimit të saj për drejtësi ndërkombëtare. Vendimi i parlamentit në vitin 2015 për të krijuar Dhomat e Posaçme ishte shenjë e qartë se Kosova refuzoi kulturën e mosndëshkimit. Nuk kishte asnjë marrëveshje ndërmjet komunitetit ndëkombëtarë dhe Kosovës lidhur me krijimin e Dhomave të Posaçme”, thuhet në komunikatën e ambasadave të pesë vendeve perëndimore.
Facebook Forum