Lidhje

Singer: I admirueshëm përcaktimi për paqe dhe harmoni mes besimeve në Kosovë


Zëvendës presidenti i Kongresit Botëror Hebraik, Robert Singer, të martën në Prishtinë, vuri lule në pllakën përkujtimore kushtuar hebrenjve që pësuan gjatë Holokaustit nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani dhe vende tjera të Evropës.

Pllaka përkujtimore në qendër të Prishtinës, është vendosur në vitin 2013 në vendin kur dikur ngrihej sinagoga e vetme në qytet dhe e cila ishte rrënuar në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, nga regjimi komunist i kohës.

Zoti Singer, u prit nga udhëheqësit e Kosovës të cilët ritheksuan miqësinë ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve dhe përkujtuan veprimet e shqiptarëve që rrezikuan jetët e tyre në përpjekje për të shpëtuar hebrenjtë, që ndiqeshin kudo gjatë luftës së dytë botërore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij, ka theksuar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën dhe përkrahjen që shteti i Izraelit u ka dhënë qytetarëve të Kosovës, sidomos në vitet 1998 dhe 1999.

“Miqësia jonë i ka rrënjët thellë në histori dhe në fatet e ngjashme që kemi pasur si popuj”, citohet të ketë thënë ai.

Komunikata citon zotin Singer të ketë theksuar se “populli hebre nuk e harron ndihmën e popullit shqiptar për popullin hebraik”, ndërsa ka vlerësuar lartë tolerancën fetare në Kosovë.

“E gjeni veten në një rajon të ndjeshëm dhe është i admirueshëm përcaktimi për paqe dhe harmoni mes feve”, u shpreh Singer.

“Toleranca dhe bashkëjetesa janë vlera tonat”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke nënvizuar se Kosova është shtëpi e të gjithë komuniteteve të saj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili së bashku me zotin Singer bënë homazhe te pllaka përkujtimore e hebrenjve, tha se “është vërtet ndjenjë e mirë që shqiptarët në ato rrethana, që kanë qenë jo të lehta, janë vënë në mbrojtje të hebrenjve. Si Kosovë na vjen mirë që bazuar në këto vlera i takojmë botës që ka respektuar jetën e njerëzve në kohërat më të vështira. Shqiptarët strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë sepse ajo ishte gjëja e duhur për t’u bërë”.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se kryeministri Haradinaj, “e njoftoi zotin Singer për vendimin për ngritjen e Muzeut të Trashëgimisë Hebraike në Prizren, që do t’i shërbejë ruajtjes së kujtesës historike dhe miqësisë mes dy popujve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG