Lidhje

Kosovë: Pezullohet ndërtimi i rrugës përreth manastirit të Deçanit


Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha të shtunën se janë pezulluar punimet në rrugën që lidhë këtë komunë në Kosovën perëndimore me rajonin Plavës dhe Gucisë në Malin e Zi.

Pezullimi që zoti Ramosaj e cilësoi të përkohshëm, pasoi debatet rreth punimeve të nxitura nga reagimi i igumenit Sava Janjiç nga manastiri mesjetar i Deçanit, sipas të cilit punimet rrezikojnë manastirin dhe bien ndesh me ligjin e Kosovës për Zonat e Posaçme të Mbrojtura.

“Një autostradë nuk duhet të kalojë pranë monumentit të shekullit të 14-të të trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, shkroi mes tjerash ai në një varg reagimesh në rrjetet sociale.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të shtunën se do të kërkojë "pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve” në takimin e radhës ne Bruksel me përfaqësuesit e Kosovës që do të mbahet më 7 shtator në Bruksel.

Komandanti i trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, gjeneralmajori Michele Risi, takoi të shtunën kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe peshkopin Sava Janjiç në manastir.

Në një njoftim të KFOR-it thuhet se në të dy takimet “u diskutua për situatën e përgjithshme në zonë, duke marrë parasysh ndikimin e veçantë në siguri të punimeve në rrugën që shtrihet në afërsi të manastirit të Deçanit. Gjeneralmajori Risi riafirmoi angazhimin e paanshëm të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë për një mjedis të qetë e të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Zoti Ramosaj, shkroi të shtunën në llogarinë e tij në facebook se “pas kërkesës së kryeministrit Avdullah Hoti, kemi pezulluar punimet në rrugën R-108, deri në fillim të javës së ardhshme! Nesër është e diel, ditë pushimi edhe ashtu! Vazhdojmë të Hënën!”, shkroi ai.

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë ankuar shumë herë se autoritete në Kosovë po shkelin disa prej të drejtave pronësore të saj të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Posaçme të Mbrojtura, siç është refuzimi për të zbatuar një vendim gjyqësor tre-vjeçar për të njohur pronësinë e kësaj kishe në disa parcela toke përreth manastirit të Deçanit si dhe ndërtimin e rrugëve që kërcënuan zonat e mbrojtura.

Pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga zoti Ramosaj i cili tha se “rruga është objekt i cili nuk i bën dëme Manastirit, si dhe renovimi i saj nuk bie ndesh me ligjin e zonës së veçantë” dhe se “në thelb e ka vetëm konceptin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve, vetëm kaq”!

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG