Lidhje

Kostoja ekonomike e katastrofës në Japoni, vazhdon të rritet


Kostoja ekonomike e katastrofës në Japoni, vazhdon të rritet
Kostoja ekonomike e katastrofës në Japoni, vazhdon të rritet

Kostoja ekonomike e katastrofës më të rëndë natyrore të regjistruar ndonjëherë në Japoni vazhdon të rritet. Ekspertët thonë se ndërthurja shkatërrimtare e tërmetit, cunamit dhe krizës bërthamore ka gjasa të rezultojë në humbje financiare më të mëdha se ç’parashikohej për ekonominë numër 3 të botës. Një javë pas tërmetit, kërcënimi i një rrjedhjeje madhore radioaktiviteti është sfida më serioze për rimëkëmbjen ekonomike të vendit:

Në centralin Daiiçi të Fukushimës, pompat e ujit punojnë për të ftohur reaktorët bërthamorë. Por shkencëtarët thonë se këto përpjekje janë njëlloj sikur të përdorësh një pompë lodër për të shuar zjarrin në pyll. Analisti Will Hedden thotë se paqartësia e situatës është shkak për luhatjet e tregjeve financiare:

“Jemi ende në gjendje paniku. Ende nuk shohim si do t’i vijë fundi kësaj situate. Pra ka shumë pikëpyetje lidhur me problemet në Japoni”.

Zyrtarët japonezë thonë se ka të ngjarë që dëmet të kushtojnë më shumë se tërmeti i vitit 1995 në Kobe që shkaktoi humbje prej mbi 100 miliardë dollarësh.

Nathan Layne është Shefi i Redaksisë së Reutersit në Tokio:

Nathan Layne

“Përllogaritjet e para nga analistë e ekonomistë flasin për 180 miliardë dëme. Por kriza për përkeqësohet. Nëse i shton edhe kërcënimin e rrezatimit, të gjithë ata që e ndjekin nga jashtë nuk do të vinë në Japoni, pra turizmi do të bjerë nga ky moment”.

Përveç shqetësimeve, është edhe dëmi mbi rrjetin elektrik të vendit. Analisti Paul Newton thotë se ndërprerjet e herëpashershme të energjisë kanë dëmtuar rëndë prodhimin industrial, veçanërisht në uzinat e automjeteve:

“Kompanitë tani nuk po prodhojnë makina thjesht si rezultat i mungesës së furnizimit të rregullt me energji, jo për mungesë të pjesëve apo sepse objektet e prodhimit janë dëmtuar. Është thjesht fakti që prodhimi nuk mund të vazhdojë pa elektricitet”.

Por ka nga ata që janë optimistë. Nicolas Szechenyi kryeson studimet japoneze në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington:

“Dallimi ndërmjet kësaj katastrofe dhe asaj të vitit 1995 është se pjesa veri-lindore e Japonisë nuk është qendra industriale për ekonominë e vendit. Kemi parë plot uzina të mbyllen në industrinë e automjeteve, ka pasur ndalim të furnizimit me drita për të kursyer energjinë. Kjo mund të ndikojë tek eksportet në periudhën afat-shkurtër, por sapo të rifillojë rindërtimi, kjo mund t’i japë një hov ekonomisë”.

Japonia pritet ta financojë rindërtimin duke shitur bono thesari. Por ekspertët thonë se një gjë e tillë do të ketë ndikim afat-gjatë mbi të ardhmen e ekonomisë së vendit, duke rritur çmimin e mallrave japoneze dhe duke e thelluar borxhin e vendit që aktualisht përllogaritet në rreth dyfishin e prodhimit të brendshëm bruto.

XS
SM
MD
LG