Lidhje

Zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së, sot votimi


Seanca e parlamentit pritet të jetë e tensionuar pas kundërshtimit të fortë të opozitës për largimin e anëtarit të propozuar nga LSI

Në Shqipëri parlamenti pritet të përfshihet sot nga debate të forta ndërsa është paralajmëruar votimi për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit qëndror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja socialiste për integrim. Shumica e ka marrë vendimin për të dërguar atje një kandidaturë të republikanëve, por cështja ka marrë përmasat e një konflikti të fortë politik, ku kundërshtimi I opozitës ka qenë i vendosur dhe i menjëhershëm. Nga ana e tyre përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar kanë qenë thuajse në të njejtën linjë kur kanë theksuar faktin se anëtarët e KQZ-së janë apolitikë

Më shumë se sa një debat me karakter juridik, cështja e zëvendësimit të një anëtari të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve është një betejë e hapur për kontrollin e procesit zgjedhor. Kalimi dy javë më parë, i Lëvizjes socialiste për integrim, në opozitë përmbysi raportet në Komision. Zoti Ilirjan Muho ishte propozuar nga LSI, në kohën kur kjo forcë ishte pjesë e shumicës qeverisëse. Tani nga 7 anëtarë, katër janë të propozuar nga opozita. Dhe nëse kjo përbërje mbetet e tillë edhe në Komisionet zonale e shtrihet edhe në ato të votimit, praktikisht e majta do të ketë shumicën në të gjitha hallkat e administrimit të procesit.

Në arsyetimin e saj për zëvendësimin e zotit Muho, partia demokratike flet për krijimin e “një situate paligjshmërie e cila – sipas saj - dërrmon shtyllën kurrizore të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve, votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve”. Për demokratët “kodi bazohet në një parim themelor, atë të barazpeshimit politik, i cili – vlerësojnë ata - është themeli i kompozimit të KQZ, por edhe i komisioneve zonale, atyre të qendrave të votimit apo dhe grupnumërimeve”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i palës tjetër. Opozita foli për ditë të tëra për një veprim antikushtetues që rrezikon të destabilizojë procesin zgjedhor. “Një veprim prej diversantësh”, e cilësoi kryetari i LSI Ilir Meta, të enjten e kaluar kur ishte planifikuar fillimisht votimi për këtë cështje. “Shumica po përdoret si kamikaz për të hedhur në erë KQZ-n dhe të drejtën e shqiptarëve për të votuar të lirë”, u shpreh nga ana tjetër kryetari socialist Edi Rama, sipas të cilit “në asnjë rast dhe për asnjë arsye opozita nuk do të hyjë në diskutime për ndryshimin e përbërjes së KQZ”.

Në argumentimin e tyre demokratët i referohen vetëm frymës së ligjit për barazpeshimin politik në KQZ. Por po i njëjti ligj, Kodi zgjedhor parashikon se anëtarët e Komisionit qëndror kanë një mandat 6 vjecar. Në mënyrë specifike përcaktohen edhe rastet kur ndërpritet mandati, dhe në asnjë prej tyre, nuk bëhet fjalë për ndërprerje kur ndryshojnë raportet politike në parlament.

Në deklaratën e saj ambasada amerikanë në Tiranë u shpreh se “për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së - të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor - konsiderohen se janë apolitikë”. Edhe zëdhënësi I komisionerit europian për Zgjerimin, ju përmbajt pothuajse të njejtës linjë e po ashtu edhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wolfarth sipas të cilit nevojiteshin shpjegim mbi bazën ligjore të ndryshimit të propozuar.

Ndërkaq të djathtët duhet të zgjidhin edhe problemin e numrave në sallë. Pa LSI-në rrezikohen votat e nevojshme, dhe shpëtimi i vetëm mbetet të jenë tre deputetët socialist që tanimë i janë larguar grupit të tyre të cilët e ndihmuan kryeministrin edhe javën e shkuar kur kaluan kandidaturat e ministrave të rinj.
XS
SM
MD
LG