Lidhje

Krasniqi: Zgjedhjet e jashtëzakonshme i japin fund krizës institucionale


Krasniqi: Zgjedhjet e jashtëzakonshme i japin fund krizës institucionale
Krasniqi: Zgjedhjet e jashtëzakonshme i japin fund krizës institucionale

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha sot se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë rruga për shkurtimin e krizës institucionale në Kosovë por vendimi për to varet nga konsensusi politik. Komentet e tij u bënë në një periudhë kur po kërkohet rrugëdalje nga situate e krijuar pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u tërhequr nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës. Ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi tha se vendi është në krizë institucionale zgjidhja e së cilës varet nga partitë politike të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.

“Ka mundësi të shkurtohet kriza institucionale në afat kohor dhe zgjidhja më e mirë që do ta ndërpriste krizën institucionale janë zgjedhjet e parakohshme, për të cilat duhet të vendosin partitë politike që janë në Kuvend. Do të thotë varet cilën rrugë ato do ta zgjedhin. A do të zgjedhin rrugën që e zgjat krizën apo do ta zgjedhin rrugën që e shkurton krizën”, tha ai.

Zoti Krasniqi tha se edhe veprimet e vendimet e tij varen nga pajtimi i forcave politike në Kosovë.

“Unë pres që të kemi reagime të duhura nga të dyja palët. Do të thotë reagime që do të vijnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe nga kryeministri i Kosovës, që më mundësojnë që unë ta kryej punën time kushtetuese”, tha zoti Krasniqi.

Partnerët e deridjeshëm në koalicionin qeverisës shprehin pikëpamje të ndryshme sa i përket rrugëdaljes nga situata e krijuar. Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se vendi duhet të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme të caktuara me 13 shkurt, ndërsa zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cilësuan krizë institucionale gjendjen e re të krijuar në vend, duke mos përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Të dyja palët kanë shkëmbyer kritika të rrepta. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se përfundimi i koalicionit ishte pasojë e pakënaqësisë më injorimin e saj nga Partia Demokratike, ndërsa kjo e fundit vlerëson se shkëputja e koalicionit në këtë periudhë është veprim në funksion të interesave të ngushta.

Koalicioni qeverisës ndërmjet rivalëve të vjetër Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2007. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit në janar të vitit 2008 ndërsa një muaj më vonë në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e cila është njohur nga 70 vende të botës. Zgjedhjet lokale të vitit 2009 shënuan një periudhë përplasjesh ndërmjet partnerëve të koalicionit, që kulmuan me dorëheqjen e ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, tri javë më parë.

XS
SM
MD
LG