Lidhje

Kristin Lagard: Ekonomia globale po rimëkëmbet


Kristin Lagard: Ekonomia globale po rimëkëmbet
Kristin Lagard: Ekonomia globale po rimëkëmbet

Kristin Lagard dha konferencën e saj të parë për shtyp dje, një ditë pasi filloi punën si drejtore menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ish ministrja franceze e Financave përballet me një program të ngjeshur, ndërkohë që merr në dorë një institucion që po përpiqet të mbajë nën kontroll krizën europiane të borxheve dhe largimin e papritur të ish kreut Dominik Stros-Kan.

Dy vjet pas fillimit të krizës globale, Kristin Lagard thotë se ekonomia po rimëkëmbet. Në konferencën e saj të parë për shtyp që kur mori drejtimin e FMN-së, zonja Lagard e pranoi se rimëkëmbja nuk ka qenë e njëtrajtshme, ku ekonomitë në zhvillim janë rritur më shpejt se sa vendet e zhvilluara.

“Pllakat tektonike po lëvizin dhe kjo duhet pasqyruar në përbërjen, qeverisjen dhe punësimin në vendet e Fondit. Prandaj unë do ta vazhdoj këtë përpjekje”.

Ish ministrja e Financave përballet me një program të ndërlikuar tani që merr nën kontroll institucionin e rëndësishëm huadhënës. Që nga presioni ndaj europianëve që të marrin vendime të vështira të nevojshme për forcimin e euros deri tek puna për të bindur 187 vendet e FMN-së për t’u bërë institucion më i diversifikuar dhe më gjithpërfshirës.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me gjininë, ngjyrën, fenë apo preferencat seksuale, por edhe me përgatitjen akademike. Dhe mendoj se duhet të tërheqim talentet dhe intelektin nga të gjitha anët e botës, sepse kështu mund të bëhemi më të mirë dhe më të pasur”.

Mbi çështjen nëse dorëheqja e ish shefit të FMN-së Dominik Stros-Kan për sulm seksual ka dëmtuar besueshmërinë e Fondit, zonja Lagard këmbënguli se akuzat nuk kishin lidhje me arritjet e institucionit. Ajo premtoi se do të vazhdonte reformat e nisura nga paraardhësi i saj.

“FMN-ja ka arsye të krenohet me arritjet gjatë drejtorit të mëparshëm menaxhues, dhe unë jam e para që e pranoj cilësinë e reformave që janë zbatuar. Për sa u përket çështjeve të tjera, ato do kalojnë nëpër procesin ligjor dhe unë nuk do të komentoj më gjatë”.

Megjithëse nuk dha hollësi mbi mënyrën si FMN-ja planifikon t’i trajtojë çështjet më të ngutshme globale, zonja Lagard tha se bordi i institucionit do të mblidhet nesër për të diskutuar lëvrimin e fondeve për Greqinë e zhytur në borxhe.

XS
SM
MD
LG