Lidhje

Kriza e ujit të pastër dhe përpjekjet për ta luftuar atë


Në ndërtesën e organizatës “Well Done” në jug të San Franciskos, punohet me ritme të larta. Dizenjatorët punojnë për krijuar emblemat që tërheqin vëmendjen dhe faqet e internetit që të përhapin fjalën për zonat në glob ku ka mungesë të ujit të pijshëm. Qëllimi është të ndihmohen mijëra familje që të kenë furnizim me ujë të pastër. Josh To është bashkëthemelues dhe kryetar i organizatës “Well Done”.

“Shpesh herë njerëzit thonë se është i nevojshëm arsimimi, kushtet higjenike, infrastruktura, rrugët, shkollat, por pa patur qasje tek burime me ujë të pijshën si mund të realizohen gjërat e tjera...?”.

Specialistët thonë se duke patur ujin e pijshëm, ka mundësi më të mëdha për arsimim dhe situatë më të mirë ekonomike sidomos për gratë të cilat në shumicën e rasteve mbajnë barrën e furnizimit me ujë nga burimet në distanca të largëta.

Organizata “Well Done” ka qendra në Afrikën Nën Sahariane dhe në Azinë Jugore. Kjo organizatë jo fitimprurëse shërben si një përçuese – që fillimisht shton informimin dhe fondet rreth problemit e më pas i drejton të ardhurat tek organizata që merren me ujin e pijshën të cilat kryejnë punën në terren.

Jim Yoon drejton projektet.

“Ne trajtojmë dy aspekte të krizës së ujit të pijshëm; shpërdorimin e ujit këtu tek ne dhe mungesën e ujit të pijshëm në vendet në zhvillim”.

Për të hedhur dritë mbi shpërdorimin e madh të ujit të pijshëm në Shtetet e Bashkuara, grupi krijoi një program që e quajti “ Uji për ujin” në të cilin konsumatorë që përdorin sasi të mëdha uji ranë dakord që të pakësojnë përdorimin e tij dhe sasinë e kursyer ta falin në mbështetje të projekteve të ujit të organizatës “Well Done”.

Duke përdorur teknologjinë interaktive, “Well Done” ka në plan që të vendosë në zbatim një platformë të re për internetin të quajtur “ Ndërtimi i së ardhmes”. Ky projekt lejon dhuruesit që të blejnë e të dhurojnë pajisje elektronike për krijimin e mirëqënies. Për të pakësuar kostot e përgjithshme, Well Done dhe organizatat e tjera partnere përpiqen të identifikojnë banorë vendas të cilët përfitojnë po kryejnë vetë punime.

“Ne nuk duam të bëhemi si ato organizata perëndimore që shfaqen papritur, bëjnë punë, marrin meritën dhe pastaj kthehen në vendin e tyre duke treguar histori të mrekullueshme suksesi. Ne duam që të gjitha këto t’i ndajmë me vendasit”.

Josh To dhe Jim Yoon u takuan fillimisht në universitet. Mbasi u diplomuan, ata shërbyen në misione kishtare në Ganë, ku panë fëmijë me malarje që i pinin ilaçet me ujë të papastër.

“Ne u përpoqëm që të gjenim një mënyrë për t’iu shpjeguar se uji që ata përdornin për të pirë ilaçet i sëmurte ata”.

Të frymëzuar nga përvoja e tyre në Afrikë, ata morën mbështetje edhe nga miqtë dhe familjet e tyre dhe krijuan organizatën Well Done në vitin 2010. Deri tani, kjo organizatë ka përfunduar më shumë se 75 projekte të ujit të pijshëm nga të cilat kanë përfituar më shumë se 10 mijë njerëz. Por Josh To dhe Jim Yoon kanë pikësynime edhe më të larta, duke shpresuar që të përfundojnë 300 projekte për ujin e pastër gjatë këtij viti.

XS
SM
MD
LG