Lidhje

Kryeministri Berisha takon Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u takua sot pasdite me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton.

Në komentet para takimit Sekretarja Clinton shprehu mirëseardhjen për Kryeministrin Berisha.

“Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë të Shteteve të Bashkuara, në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi marrëdhënie të gjera dhe të thella që ne e vlerësojmë lart”, tha zonja Clinton.

Ajo shtoi se do të diskutonte për çështje dypalëshe, rajonale dhe globale me kryeministrin Berisha .

Kryeministri Berisha tha se ishte mirënjohës dhe i lumtur për takimin me Sekretaren Clinton.

“Ajo është një mike e madhe e vendit dhe kombit tim”, tha zoti Berisha. Ai shtoi se një nga synimet e takimit ishte që ta bindte zonjën Clinton të vizitonte Shqipërinë për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.

“Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol themelor në momentet më të vështira të historisë sonë”, tha ai.

Zoti Berisha tha se gjatë takimit do të diskutoheshin çështje të interesit të përbashkët.

“Shqipëria ka pasur privilegjin e madh që të gëzojë mbështetjen e këtij vendi të madh, nga administrata e Presidentit Obama dhe Sekretarja Clinton në të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një demokraci të ngritur mbi ekonominë e tregut”

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, zoti Berisha do të marrë nesër pjesë në një ceremoni në Muzeun e Holokaustit në Uashington, ku do të shfaqet edhe filmi “Besa”, që i kushtohet miqësisë dhe përkushtimit të veçantë që treguan shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore për mbrojtjen e hebrejve që ndodheshin në Shqipëri. Në fundjavë zoti Berisha do të marrë pjesë në ceremonitë që do të organizohen në New York me rastin e 100-vjetorit të krijimit të organizatës pan-shqiptare Vatra.

XS
SM
MD
LG