Lidhje

Kryeministri japonez, thirrje njerëzve të qëndrojnë larg uzinës bërthamore


Kryeministri japonez, thirrje njerëzve të qëndrojnë larg uzinës bërthamore
Kryeministri japonez, thirrje njerëzve të qëndrojnë larg uzinës bërthamore

Kryeministri japonez Naoto Kan u bëri thirrje njerëzve të zhvendosen të paktën 20 kilometra largë uzinës bërthamore në të cilën sot ndodhi një shpërthim i madh. Kryeministri Kan tha se përparësia kryesore është siguria e popullatës në rajonet rreth uzinës Fukushima.

Ai i bëri komentet një ditë pas tërmetit masiv prej 8,9 ballësh i cili shkaktoi një cunami që shkaktoi shkatërrime të shumta në Japoni. Kryeministri Kan tha se vendi përballet me një katastrofë të paparë.

“Ne do të bëjmë gjithë çka që është e mundur për të shpëtuar të mbijetuarit dhe njerëzit e izoluar, veçanërisht sot sepse çdo minutë është e rëndësishme.”

Në Fukushima, mund të shihen shtëllunga tymi që dalin nga ndërtesa e reaktorit bërthamor. Mediat japoneze thonë se pas shpërthimit niveli i radioaktivitetit jashtë reaktorëve është rritur.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se po mbledh më shumë informacione mbi situatën e krijuar. Para shpërthimit, autoritetet thanë se janë gjetur materiale radioaktive jashtë njërit prej reaktorëve që kishte humbur furnizimin me energji dhe nuk mund të ftohej.

Kryeministri Kan përmendi gjithashtu bisedën me presidentin Obama, i cili i shprehu ngushëllime, dhe ofroi të japë çfarëdo lloj ndihme që nevojitet.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin e Japonisë. Kjo është një fatkeqësi katastrofike, imazhet e shkatërrimit dhe përmbytjeve që vijnë nga Japonia janë të dhimbshme. Japonia është një nga aleatët tanë më të fuqishëm e më të ngushtë dhe këtë mëngjes pata një bisedë me kryeministrin Kan. Në emër të popullit amerikan, shpreh ngushëllimet më të thella, veçanërisht për viktimat dhe familjet e tyre dhe i kam ofruar çfarë do ndihme që u duhet miqve tanë japonezë.”

Mediat Japoneze njoftojnë për më shumë se 1,300 të vdekur ose të humbur.

XS
SM
MD
LG