Lidhje

KS debaton mbi një projekt-rezolutë për Sirinë


Këshilli i Sigurimit debaton sot mbi një projekt-rezolutë për Sirinë, që bën thirrje për marrjen e masave, në se qeveria siriane nuk e pranon planin e paraqitur nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan, tani i dërguar i posaçëm i OKB-së për Sirinë. Plani i zotit Annan bën thirrje për ndalimin e luftimeve dhe zhvillimin e bisedimeve mes rebelëve dhe forcave qeveritare siriane.

Kina dhe Rusia më parë i kanë vënë veton propozimeve në Këshillin e Sigurimit, duke i cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Rusia sot ofroi mbështetje pa kushte ndaj përpjekjeve të Perëndimit për ta bindur Këshillin e Sigurimit që të miratojë planin e paqes të zotit Annan. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se Moska mendon se Këshillimi i Sigurimit duhet t’i mbështesë përpjekjet e vazhdueshme të zotit Anan për të arritur marrëveshjen mes të gjitha palëve të angazhuara në kryengritjen një vjeçare në Siri. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, komentoi sot për Sirinë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon thotë se situata në Siri është bërë e papranueshme dhe e padurueshme. Duke folur sot para një grupi paqeruajtësish në Indonezi, zoti Ban i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të jetë i bashkuar për çështjen e Sirisë.

“Nuk kemi kohë për të humbur. Një minutë, apo një orë më shumë, do të thotë një numër edhe më i madh njerëzish që vriten. Kjo është përgjegjësia jonë morale dhe kritike si bashkësi ndërkombëtare. Si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, mendoj se Siria është çështja kryesore dhe më e rëndësishmja tani për tani.”

Këshilli i Sigurimit i OKB-së po takohet sot në Nju Jork për të debatuar një projekt-deklaratë të propozuar nga Franca, që bën thirrje për marrjen e masave të tjera, në se qeveria siriane nuk e pranon planin e paqes të të dërguarit të posaçëm Kofi Annan.

Forcat rebele siriane organizuan dje një sulm të rrallë në një lagje të mbrojtur mirë të Damaskut, duke nxitur një shkëmbim vdekjeprurës me armë me forcat pro-Assadit. Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, thotë se dy pjesëtarë të forcave rebele dhe një i forcave të sigurisë u vranë në lagjen Mazzeh, ku ndodhen ambasadat e huaja dhe ku banojnë zyrtarë të qeverisë siriane.

XS
SM
MD
LG