Lidhje

Komentatori konservator pritet të jetë këshilltari i Presidentit për ekonominë


Presidenti Donald Trump po emëron analistin për ekonominë me pikëpamje konservatore, Larry Kudlow, si ndihmësin kryesor në Shtëpinë e Bardhë për çështje ekonomike.

70-vjeçari Kudlow i tha mediave të mërkurën se e kishte pranuar ofertën e Presidentit, për t’u bërë Drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë. Njoftimi zyrtar pritet të bëhet të enjten.

Zoti Kudlow do t’i zerë vendin ish financierit të Wall Street-it Gary Cohn, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, ngaqë kishte mosmarrëveshje me Presidentin për politikat tregtare. Cohn humbi në një debat mes këshilltarëve të Presidentit, që u përpoqën ta bindnin atë të mos vendoste tarifa të reja, ndaj importeve të çelikut dhe aluminit.

Edhe Kudlow, i cili pati qenë këshilltar ekonomik jo zyrtarisht i Presidentit Trump në vitin e parë të presidencës së tij, po ashtu e pati kundërshtuar vendosjen e taksës prej 25 për qind ndaj importeve të çelikut dhe 10 për qind ndaj importeve të aluminit.

Kudlow, megjithatë, ka qenë këshilltar i zotit Trump edhe gjatë fushatës së tij suksesshme për në Shtëpinë e Bardhë dhe pati punuar me Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin në hartimin e planit për shkurtimin e taksave.

Kudlow pati punuar dekada më parë në Shtëpinë e Bardhë kur president ishte Ronald Reagan, por ai ka qenë pjesën më të madhe të kohës komentator dhe prezantues në televizion, sikurse zoti Trump, i cili ka qenë producent për shfaqjen televizive The Apprentice para se të fillonte të merrej me politikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG