Lidhje

Rifillon gjyqi për ngjarjet e Kumanovës


Të martën rifilloi gjykimi për ngjarjet e Kumanovës, ku më 9 dhe 10 maj u vrarë tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur shqiptar. Të akuzuarit nuk e pranojnë akuzën që i ngarkon ata për terrorizëm dhe organizim terrorist. Ndërkaq, prokuroria maqedonase tha se ka dëshmi që provojnë se të akuzuarit me paramendim i kanë bërë sulmet ndaj njësisë speciale të policisë maqedonase. Atë ditë, policia, me urdhër të gjykatës, ishte dashur të bëjë bastisje në lagje, sipas prokurorisë. Të 29 të akuzuarit janë prononcuar si të pafajshëm. Megjithatë, tre nga të akuzuarit kanë pranuar se ditën e ngjarjeve kanë qenë në Kumanovë dhe se kanë qenë në vendngjarje, por siç deklaruan në gjykatë, nuk kuptojnë se për çfarë arsye akuzohen për terrorizëm.

Avokati Naser Raufi tha se provat e palës mbrojtëse janë kryesisht verbale, por ato do t’i dorëzohen kur gjykimi të vijë në fazën e dëgjimit të të akuzuarve. “Sa i përket provave vendimtare, konsiderojmë se ka gjenezë, një lidhshmëri të ngjarjeve të Goshincës me ato të Lagjes së trimave, me të ashtuquajturat “bomba” dhe me bisedat e përgjuara. Jemi të bindur se me këtë ngjarje, dikush ka dashur ta shpërqendrojë publikun nga skandali i përgjimeve”, tha avokati.

XS
SM
MD
LG