Lidhje

Kur do të rikthehet ekonomia amerikane?


Një dyqan i mbyllur dhe pa mallra i kompanisë "Balenciaga", në Nju Jork
Një dyqan i mbyllur dhe pa mallra i kompanisë "Balenciaga", në Nju Jork

Papunësia gjatë muajit prill u rrit në nivelin e paprecedent prej 14,7%, sipas një raporti të ri që publikoi Byroja e Statistikave të Punës të Shteteve të Bashkuara. Kjo është shkalla më e lartë e papunësisë dhe ndryshimi më i madh njëmujor që nga viti 1948, kur Byroja e Statistikave filloi të regjistronte shifrat. Ndërsa ekspertët e Shtëpisë së Bardhë shpresojnë se ekonomia do të rikthehet me shpejtësi, të tjerët nuk janë aq optimistë.

SHBA, Pandemia thellon papunësinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Koronavirusi i ri nuk është vetëm një rrezik për shëndetin, por është shkatërrues edhe për ekonominë amerikane. Numri i vendeve të punës të humbura në Shtetet e Bashkuara arriti në 20.5 milionë në muajin prill. Nuk do të bëhet më mirë në të ardhmen e afërt thotë Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow.

Larry Kudlow
Larry Kudlow

"Unë mendoj se numrat për muajin maj do të jenë gjithashtu numra shumë të vështirë; do të marrë kohë që rihapja të ketë ndikim", tha zoti Kudlow.

Zoti Kudlow thotë se megjithë humbjen shkatërruese të vendeve të punës, ai sheh një grimcë shprese sepse një numër i të papunëve janë për shkak të pezullimeve të përkohshme.

"Kjo nuk garanton se do të ktheheni në vendin e punës, por sugjeron me forcë se lidhja mes punëtorit dhe biznesit është ende e paprekur", thotë zoti Kudlow.

Tregu i aksioneve në Shtetet e Bashkuara ka përjetuar fitime edhe gjatë rritjes së niveleve të papunësisë. Analistja Liz Ann Sonders thotë se ndër arsyet është stimuli i qeverisë…

"Mendoj se tregu po funksionon me supozimin se prilli do të jetë muaji më i keq i mbylljes. Mendoj se ka disa rreziqe që lidhen me këtë, si p.sh. një valë e dytë e mundshme e virusit", thotë Liz Ann Sonders, Shefe e Investimeve Strategjike në firmën "Charles Schwab".

Protestuesit në Kaliforni duke kërkuar rihapjen e bizneseve
Protestuesit në Kaliforni duke kërkuar rihapjen e bizneseve

Edhe me rreziqet e vazhdueshme shëndetësore, ka pasur protesta për t'i dhënë fund udhëzimeve për qëndrimin në shtëpi. Shumë shtete po rihapen gradualisht dhe zoti Kudlow thotë se shenjat tregojnë se ekonomia amerikane do ta mbyllë vitin pozitivisht.

"Do ta shohim gjysmën e dytë të vitit shumë të fortë, ndoshta me 20% rritje ekonomike... Viti i ardhshëm, 2021, mund të jetë një rikthim i jashtëzakonshëm i ekonomisë së Shteteve të Bashkuara", thotë zoti Kudlow.

Por, kjo mund të jetë tepër optimiste, paralajmëron Neel Kashkari, President i Bankës Federale të Rezervave të Minneapolis.

"Ky ka më shumë të ngjarë të jetë një shërim i ngadaltë më gradual. Fatkeqësisht, virusi vazhdon të përhapet. Njerëzit vazhdojnë ta marrin. Fatkeqësisht, njerëzit po vdesin në mënyrë tragjike. Dhe kur shikojmë nëpër botë, ka prova se kur vendet ndalin kontrollin ekonomik, virusi ka tendencë të ndizet përsëri... Nëse kjo vazhdon për një periudhë të gjatë kohore, mendoj se do të vazhdojë në disa faza për një ose dy vjet. Unë mendoj se Kongresi do të duhet të vazhdojë të japë ndihmë për ata që humbasin vendin e punës", thotë ai.

Deri më tani, qeveria ka siguruar afro 3 trilionë dollarë ndihmë financiare gjatë krizës së COVID-19. Ligjvënësit demokratë po kërkojnë një paketë tjetër stimulimi, me ndihma për shtetet dhe qeverisjen vendore, plus para për testimet dhe të papunët. Zoti Kudlow thotë se ka pasur diskutime joformale, por shumë republikanë po marrin një qasje më të kujdesshme ndaj një pakete tjetër stimulimi.

"Shumë njerëz dëshirojnë të ndalen vetëm për një moment dhe të shohin ndikimin ekonomik të këtij programi masiv ndihme", tha ai.

Ndërsa bizneset rihapen, njerëzit do të duhet të balancojnë punën me rrezikun e mundshëm për t'u sëmurur nga koronavirusi. Shumë ekonomistë thonë se shpejtësia e rikthimit të ekonomisë do të varet nga nga bërja e disponueshme e vaksinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG