Lidhje

Turqia dhe kurdët në Siri


Ankaraja po paralajmëron Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë të mos armatosë forcat kurde në Siri, duke thënë se ato po bëhen aleate të terroristëve kurdë në Turqi. Por siç njofton nga Londra Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës, analistët thonë se Perëndimi i sheh kurdët si një aleat jetik në luftën me grupin Shteti Islamik.

Të mbështetur nga sulmet ajrore të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, forcat kurde në Siri kanë bërë përparime territoriale kundër militantëve të Shtetit Islamik. Shtetet e Bashkuara thanë këtë javë se kanë hedhur përmes ajrit municione në Siri, por nuk specifikuan grupet rebele të cilat po ndihmojnë.

Turqia ka paralajmëruar kundër armatimit të forcave kurde në Siri, që i sheh si terroristë dhe aleatë të separatistëve kurdë të PKK-së në Turqi.

"Ky qëndrim iu komunikua Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Kjo do të thotë se Turqia nuk mund të pranojë çdo lloj bashkëpunimi me grupe që i kanë shpallur luftë Ankarasë," tha Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu.

Por aleanca mes Perëndimit dhe drejtuesve kurdë në Siri, që njihen si PYD, ka të ngjarë të forcohet.

“Ata përbëjnë një forcë laike, shumë të efektshme, pro-perëndimore që lufton ISIS-in. Në një kohë si kjo, me ndërhyrjen e rusëve, me konfliktin që po bëhet më i komplikuar, mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi do të mbajnë anën e tyre,” thotë Ranj Alaaldin, i "London School of Economics".

Komandatët kurdë i thanë agjencisë Reuters se kishin krijuar një aleancë me grupet rebele arabe për të ndërmarrë një mësymje kundër kryeqytetit të vetëshpallur të Shtetit Islamik, Raka. Ka të ngjarë të lidhet një aleancë afatshkurtër, thotë zoti Alaaldin.

“Ata kanë një synim të përbashkët dhe ai është mposhtja e ISIS-it. Por nuk jam aq optimist kur bëhet fjalë për një aleancë afatgjatë duke qënë se këto grupe në të kaluarën kanë qenë në luftë me njëra-tjetrën.”

Për shkak të rivaliteteve etnike, një sulm i drejtuar nga kurdët në Raka do të jetë problematik.

“Në pjesët e dominuara nga arabët do të ketë kundërshtime të konsiderueshme ndaj milicisë kurde që kontrollojnë qytetet e tyre, edhe nëse flitet për zhdukjen e Shtetit Islamik, pasi mes këtyre komuniteteve ka tensione të rrënjosura thellë,” thotë Robert Lowe, i qendrës për Lindjen e Mesme në "London School of Economics".

Turqia ka frikë se grupet kurde në Siri synojnë të përparojnë më tej në perëndim të kufirit mbi Lumin Eufrat, duke u ndihmuar nga mbështetja ajrore e Rusisë.

“Turqve do t’u pëlqente të kishin lirinë për të sulmuar brenda pjesëve kurde në Siri, por nuk mendoj se po e bëjnë këtë tani. Sa më e gjerë aleanca me fuqitë ndërkombëtare, aq më të pakta shanset për këtë, pasi nuk mund të shihen se po godasin një nga pak forcat në terren që kanë kaq shumë mbështetje,” thotë zoti Lowe.

Ndërkohë Turqia tha të mërkurën se ka prova që lidhin militantët kurdë të PKK-së dhe terroristët e Shtetit Islamik për sulmin me bombë të së shtunës në një miting paqësor në Ankara. Shumë grupe kurde pretendojnë se shteti turk ka qënë pas sulmit, një akuzë që qeveria e ka mohuar.

XS
SM
MD
LG