Lidhje

Dhëndri i Presidentit Trump mohon të ketë bashkëpunuar me Moskën


Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i afërt i Presidentit Donald Trump, thotë se ai është takuar katër herë me zyrtarë rusë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, por se nuk ka bashkëpunuar në fshehtësi me Rusinë apo ndonjë qeveri tjetër të huaj.

Zoti Kushner bëri publike sot një deklaratë me shkrim prej 11 faqesh, përpara se të paraqitej për t’iu përgjigjur pyetjeve në një seancë me dyer të mbyllura të Komisionit të Senatit për Zbulimin. Gjithashtu, një tjetër seancë dëgjimore është planifikuar për ditën e nesërme tek Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve, si pjesë e hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vjetshme në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Kushner shkruan se: “Dokumentat dhe të dhënat që ofroj provojnë se unë kam patur ndoshta katër herë kontakte me përfaqësues të Rusisë, ndër mijëra kontakte të zhvilluara gjatë fushatës elektorale dhe periudhës së tranzicionit të qeverisë; asnjë nga këto kontakte nuk patën ndikim në asnjë mënyrë tek zgjedhjet apo ndonjë vlerë për t’u mbajtur mend.”

Ai përshkruan në vazhdim disa takime të shkurtra me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilave ai thotë se diskutuan rreth dëshirës për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA – Rusi, por ai mohon raportimet nga mediat se ka patur edhe biseda të mëtejshme telefonike me ambasadorin rus, Sergey Kislyak.

Komisionet e Kongresit pritet të kërkojnë informacion të mëtejshëm për konktatet e zotit Kushner me Rusinë, ndër to edhe për një takim të zhvilluar në muajin qershor të vitit të kaluar me një avokate ruse dhe personazhe të tjera të lidhura me Moskën.

Takimi në fjalë është vendosur në qendër të vëmendjes që kur i biri i Presidentit, Donald Trump Jr., bëri publike email-e ku shprehej padurimi i tij për të dhënat që ai besonte se do të merrte nga juristja ruse, të dhëna të dëmshme për zonjën Hillary Clinton, rivalen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2016.

Donald Trump Jr. dhe drejtori i fushatës Paul Manafort, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në atë takim, u përfshinë fillimisht në axhendën e kësaj jave të Komisionit të Senatit për Gjyqësorin. Por, dëshmia e tyre është shtyrë, bazuar në mirëkuptimin se do të ofrojnë dokumenta dhe informacion të mëtejshëm për komisionin.

Zoti Kushner shprehet në deklaratën e tij me shkrim se ndërsa ai ndodhej në takim, nuk u diskutua fare për fushatën elektorale, dhe se ai pati vendosur menjëherë se koha po i humbte kot në këtë takim.

Ndërsa hetimet për Rusinë po shqyrtojnë tashmë njerëzit më të afërt të Presidentit Trump, janë ngritur pikëpyetje rreth mundësisë së faljeve nëpërmjet dekreteve presidenciale. Ekipi ligjor i Presidentit Trump vuri në dukje se kushtetuta amerikane i jep Presidentit autoritet të gjerë për të falur, por nënvizoi se nuk po mendohet për një gjë të tillë.

Avokati i Presidentit, Jay Sekulow, i tha rrjetit ABC se “nuk po e shqyrtojmë këtë aspekt, pasi nuk shtrohet çështja e faljeve. Nuk ka asgjë për të cilën të falen persona.”

Por, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se fokusi i mediave tek hetimet për Rusinë është në drejtimin e gabuar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, i tha kanalit ABC se “tre çështjet kryesore për amerikanët janë emigracioni, sistemi i kujdesit shëndetësor, dhe vendet e punës. Ndërsa tre çështjet kryesore për mediat janë Rusia, Rusia, dhe Rusia”.

Edhe ligjvënësit nga të dyja kahet politike po thonë mendimin e tyre. Kreu republikan i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, Chuck Grassley, kërkoi nëpërmjet Twitter-it botimin e plotë të një përgjimi të raportimit në Moskë të ambasadorit rus për një bisedë me ish-Senatorin Jeff Sessions, atëherë mbështetës i fushatës Trump dhe tashmë Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.

Po kështu, kreu i demokratëve në Komisionin e Senatit për Zbulimin, Mark Warner, ka kritikuar ashpër përmendjen e faljeve të mundshme presidenciale si masa parandaluese për personat që po hetohen në kuadrin e hetimeve për Rusinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG