Lidhje

Largohet nga Iraku autokolona e fundit me ushtarë amerikanë


Largohet nga Iraku autokolona e fundit me ushtarë amerikanë
Largohet nga Iraku autokolona e fundit me ushtarë amerikanë

Autokolona e fundit me ushtarë amerikanë la Irakun sot dhe hyri në Kuvait. Tërheqja e forcave amerikane i jep fund luftës 9 vjeçare gjatë së cilës dhanë jetën rreth 4,500 ushtarë amerikanë e dhjetra mijëra irakianë. Kjo luftë kushtoi qindra miliradë dollarë amerikanë.

E fundit e makinave të mbushura me qindra trupa amerikane kaloi kufirin pak mbas agimit, duke lënë pas vetëm disa qindra ushtarë në ambasadën amerikane në Bagdat.

Disa orë përpara se autokolona e fundit të kalonte kufirin, përfaqësuesit e ushtrisë amerikane zyrtarisht dorëzuan bazën e fundit amerikan në duart e irakianëve. Një oficer irakian tha se dorëzimi i bazës shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për vendin e tij:

“Nuk është e rëndësishme vetëm për ushtrinë e Irakut apo forcat ajrore irakiane, por është për popullin e Irakut. Është një ditë e shquar për të gjithë këta djem sepse ne po marrim në dorëzim bazën e fundit si komb. Nga kjo bazë do të nisë tërheqja dhe ushtari i fundit amerikan do të largohet prej këtej”.

Lufta në Irak nisi në vitin 2003 me pikësynim rrëzimin e diktatorit Sadam Hysein. Në kulmin e luftës, më shumë se 170 mijë trupa ishin stacionuar në Irak në më shumë se 500 baza. Por deri ditën e djeshme, më pak se 3 mijë trupa amerikan mbetën në këtë vend.

Kritikët kanë dënuar Shtetet e Bashkuara që po lënë një vend të shkatërruar me mijëra gra të veja dhe fëmijë jetimë, një popull thellësisht të ndarë në grupime sektare, dhe një infrastrukturë të shkretuar e cila duhet të rindërtohet. Por komandanti i forcave amerikane në Irak duket se shpreson tek e ardhmja e Irakut:

“Shpresoj që gjërat do të vazhdojnë të lëvizin në rrugën e duhur. I përket qeverisë së Irakut, popullit të Irakut që të vazhdojnë të ecin në drejtimin e duhur, të punojnë sëbashku. Por e përsëris, mundësia është atje. Mendoj se nëse shfrytëzohet kjo mundësi ata mund të kthehen në udhëheqës të rajonit, dhe ne shpersojmë se gjërat do të ecin mirë.”

Qeveria shiite e kryeministrit të vendit Nuri al Maliki po has vështirësi për zbatimin e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit mes shiitëve, sunive dhe partive kurde.

XS
SM
MD
LG