Lidhje

Pas Las Vegasit rishfaqet debati mbi armëmbajtjen


Një javë pas masakrës më të rëndë me armë zjarri në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, po zien përsëri debati për kufizimet mbi të drejtën e armëmbajtjes. Përpjekje të njëpasnjëshme për ligje të reja kufizuese kanë dështuar në të kaluarën në Kongres. Korrespondenti Michael Bowman njofton se po bëhet një përpjekje e re për të nxjerrë jashtë ligji një pajisje që i dha mundësi autorit të masakrës në Las Vegas të përdorte armët me një rezultat shumë më vdekjeprurës se ç’kishin aftësi fillimisht:

Sulmi në Njutaun të shtetit Konektikat, më pas në Çarlston të Karolinës së Jugut, në San Bernadino të Kalifornisë e shumë incidente të tjera shkaktojnë dhimbje, revoltim dhe zgjojnë thirrje për veprim. Por deri tani Kongresi nuk ka vepruar.

“Jemi mbledhur nga trishtimi, tronditja dhe dhimbja e përbashkët për të vrarët dhe të plagosurit e familjet e tyre,” - u shpreh Nënpresidenti Mike Pence.

Ndërkohë që kujtohen viktimat në LasVegas, në të dyja Dhomat e Kongresit janë hartuar projekt-ligje për të ndaluar pajisjet që u japin mundësi armëve gjysmë-automatike të qëllojnë me breshëri thuajse të ngjashme me armët automatike.

“E vetmja arsye përse i bëhen modifikime armës është që të mund të vrasësh sa më shumë njerëz brenda një kohe sa më të shkurtër,” shprehet Senatorja Dianne Feinstein.

Shoqata Kombëtare e Armëve, grupi më i madh lobist për të drejtën e armëmbajtjes, javën e kaluar sinjalizoi se mbështet “vendosjen e rregulloreve shtesë” mbi pajisje që intensifikojnë breshërinë e armës. Ata që kërkojnë kontroll mbi armëmbajtjen duan masa më të forta:

“Rregulloret janë mënyra për të krijuar vonesa. Ne duam të ndalohen këto pajisje,” tha Senatori Richard Blumenthal.

Për momentin, Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente për ndonjë prej propozimeve.

“Duam të përfshihemi në këtë diskutim. Duam të mbledhim informacion, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në ditët e ardhshme,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Kreu i republikanëve në Senat la të kuptohej se nuk është shumë entuziast që të paraqesë për votim projekt-ligje mbi armët.

Mitch McConnell, kreu i republikanëve në Senat

“Ende nuk kanë përfunduar hetimet. Është e parakohëshme të diskutojmë zgjidhje legjislative, edhe sikur të ketë të tilla,” tha Senatori Mitch McConnell.

Ndërkaq, është rishfaqur debati nëse kontrolli mbi armët ul ritmet e dhunës në vend, apo përbën kufizim mbi të drejtën kushtetuese të amerikanëve për armëmbajtje.

“Njerëzve u pëlqen gjuetia, u pëlqen të kenë armë. Por nuk lejohen armët e luftës. Ka mënyra për të kufizuar dhunën,” thotë ligjvënësi demokrat Seth Moulton.

“Amendamenti i Dytë i Kushtetutës nuk mbulon vetëm të drejtën e armëve të gjuetisë. Ai është miratuar që t’u japë qytetarëve të drejtën të rrëzojnë tiraninë. Kjo do të kërkonte armë lufte,” thotë ligjvënësi republikan Scott Taylor.

Nuk pritet që as masakra në Las Vegas të rezultojë në ndryshime rrënjësore të së drejtës së armëmbajtjes. Por një masë e kufizuar dhe specifike si ndalimi i pajisjeve që intensifikojnë breshërinë mund të ofrojë një moment unik për të bashkuar dy skajet opozitare në debatin mbi armëmbajtjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG