Lidhje

Lëndët plastike në oqeane, më të dëmshme se ndryshimi klimatik


Lëndët plastike në oqeane, më të dëmshme se ndryshimi klimatik
Lëndët plastike në oqeane, më të dëmshme se ndryshimi klimatik

Kombet e Bashkuara vlerësojne se secili nga ne përdor pothuajse 140 kilogramë lëndë plastike në vit. Të paktën 6,4 milionë tonë e asaj sasie ka përfunduar në oqeane. Aktivisti i mjedisit Charles Moore ka zbuluar se në disa zona lëndët plastike tejkalojnë sasinë e planktonit – bazën ushqimore të oqeaneve – dhe po bëhet pjesë e zinxhirit ushqimor.

Dikur, oqeanet e planetit tonë ishin shumë të pastra. Por ato nuk janë më të pastra tani. Kapiteni Charles Moore e quan këtë “epoka e plastikës”.

“Rreth 250 deri në 300 milionë tonë materiale plastike prodhohen çdo vit. Që të kuptohet më mirë, po ju them se çdo dy vjet ne prodhojmë një sasi materialesh plastike të barabartë me peshën e 7 miliardë njerëzve mbi tokë.”

Në librin e tij të ri, “Oqean Plastik”, zoti Moore thotë se më pak se 5 përqind e materialeve plastike po riciklohen dhe rreth 3 përqind e tyre po hidhen ne det. Ato mbetje vrasin miliona qënie detare çdo vit.

“Ne e dimë që mbi 100 mijë albatrosë po ngordhin çdo vit prej stomakëve të tyre plot me lëndë plastike. Ne kemi prova se rreth 100 mijë gjitarë të detit ngordhin çdo vit, të mbytur prej plastikës.”

Zoti Moore ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në det dhe ka përjetuar drejtpërdrejt shndërrimin e tij. Në librin e tij ai tregon mbi udhëtimin e tij të vitit 1997 përmes deteve, ku zbuloi tonelata lëndë plastike të bllokuara në një vorbull pa fund. Në zonën tani të njohur si Njolla e Madhe e Mbeturinave të Oqeanit Paqësor, lëndët plastike tejkalojnë sasinë e planktonit, me raportin një me gjashtë.

Kapiteni Moore krijoi Fondacionin e Kërkimeve Detare Algalita dhe filloi të mbledhë kampionë prej botës së oqeaneve. Ai thotë se lëndët plastike mbërrijnë në det prej lumenjve, bregdeteve dhe anijeve.

“Jo vetëm marinat ushtarake të vendeve të botës, por edhe anijet tregëtare, deri në vitet ‘80 hidhnin pothuajse gjithë mbetjet e tyre në det.”

Zoti Moore thotë se anije nga të gjitha vendet sot vazhdojnë të mos zbatojnë marrëveshjet ndërkombëtare, duke hedhur mbetjet e tyre në det përfshi kimikatet sintetike, pesticidet, mbetjet atomike e të tjera lëndë të rrezikshme.

Eksperti i ndotjes mban me vete një çantë të vogël me rërë të të mbledhur në një bregdet i Havait. Ai e ka analizuar atë dhe ka zbuluar se mbi 90 përqind e saj është lëndë plastike.

Kapiteni Moore bashkëpunoi me producentin e filmave mbi mjedisin Bill Macdonald për të dokumentuar ndotjen e detit nga lëndët plastike. Zoti Macdonald ndihmoi edhe me pjesën më të madhe të pamjeve filmike të kësaj kronike, përfshi pamjen e oktapodit që jeton brenda qeses plastike.

“Nuk ka shumë gjëra të bukura në një lum plot me mbeturina. Unë kam parë zogj çafkë të tmerruar nga polistirolë porozë që lundronin rreth tyre. Unë kam parë pulëbardha duke u përpjekur të hanin doreza gome dhe shumë kafshë të tjera duke jetuar në një mjedis dikur natyror dhe sot të ndotur rrënjësisht prej lëndëve sintetike.”

Kështu fushata për mjedisin vazhdon. Në librin “Oqean Plastik”, Kapiteni Charles Moore e konsideron ndotjen prej lëndëve plastike më të dëmshme se ndryshimi i klimës dhe bën thirrje për të mbrojtur oqeanet, ku fillon jeta, për brezat e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG