Lidhje

Liberianët shpresojnë se nafta nuk do të sjellë paqëndrueshmëri në vend


Në brigjet e Liberisë janë zbuluar rezerva nafte. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anne Look njofton nga Dakari se banorët po e presin me entuziazëm të matur zbulimin e burimeve të naftës, ndërkohë që shpresojnë që pasuria e naftës nuk do të sjellë destabilizim të shtetit të brishtë të Afrikës Përëndimore.

Liberia është disa vite larg shfrytëzimit të rezervave të zbuluara, për të cilat firma “African Petroleum”, ose “Nafta Afrikane” thotë se janë të mëdha.

Randolph McClain drejton kompaninë kombëtare të Liberisë për naftën, që shkurt njihet me emrin NOCAL, e cila gjithashtu është e përfshirë në këtë projekt. Ai thotë se do të duhen disa muaj derisa të kryhet studimi dhe të vendoset nëse cilësia dhe sasia e naftës së zbuluar ka vlerë ekonomike.

“Jam i sigurt se ju do të ndani shpresën dhe besimin tonë se ky mund të jetë hapi i parë i lulëzimit të sektorit të naftës për Liberinë”.

Sipas një studimi të Institutit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara në brigjet e Liberisë, Sierra Leones dhe Ganës ekzistojnë rezerva prej rreth 3,2 miliardë fuçi nafte.

Qëndrueshmëria e vendosur në këtë rajon pas konflikteve të përgjakshme dhjetra vjeçare ka bërë që këto vende të kërkojnë jo vetëm për burime nafte por edhe për minerale të tjera si ari dhe hekuri.

Gana nxori sasitë e para të naftës së papërpunuar për eksport në fund të vitit 2010, tre vjet pas zbulimit të rezervave. Qeveria thotë se fusha naftëmbajtëse Jubileu ka sjellë të ardhura prej rreth 450 milion dollarësh në vitin e parë të prodhimit. Ekspertët thonë se të ardhurat vjetore nga prodhimi i naftës mund të arrijnë deri në 1 miliardë dollarë në vit, dhe nëse ky burim menaxhohet mirë, mund të nxisë zhvillimin dhe të pakësojë varësinë e vendit nga ndihmat e huaja. Megjithatë, shumë liberianë ndajnë të njejtën shqetësim si Jerry Lamie, banor i Monrovias.

“Shpesh ndodh që jo të gjithë përfitojnë nga të ardhurat nga industria e naftës. Ato përdoren për përfitime personale. Prandaj do të kemi një grup njerëzisht që do të pasurohen kurse pjesa tjetër e popullsisë së vendit do të vuajë”.

Kompania shtetërore e naftës në Liberi, NOCAL, është në qendër të këtij debatit. Jonathan Gant që punon për agjencinë ndërkombëtare Global Witness, e cila vëzhgon korrupsionin dhe keqpërdorimin e burimeve natyrore për synime fitimi, thotë se firma NOCAL duhet të shpërbëhet.

“Shqetësimi më i madh është për ryshfetet që janë dhënë. Qeveria liberiane i referohet këtyre veprimeve si tatime lobimit, por ato kanë qënë fonde të paguara nga kompania e naftës për kuvendin e Liberisë që të miratonte kontrata nafte. Ne nuk kemi dëshmi se kjo sjellje ka ndodhur në vitet e fundit por nëse nuk do të ketë reforma të qarta të ligjeve përmes të cilave administrohen kontratat dhe të proceseve financiare, atëhere ky skenar rryshfetesh mund të përsëritet.”

Sipas ligjeve të tanishme, NOCAL është ndërmarrje fitimprurëse dhe në të njejtën kohë edhe përgjegjëse për miratimin e rregullave për sektorin e naftës. Drejtori i Qendrës për Transparencë dhe Llogaridhënie në Monrovia, Thomas Nah, thotë se ky është një konflikt serioz interesi.

“Nëse shikohen me kujdes disa prej këtyre ligjeve, ata janë edhe lojtarë edhe arbitra. Pra ata janë pjesëmarës në proces dhe në të njejtën kohë janë po ata që duhet të mbikqyrin procesin dhe në disa raste po të njejtët njerëz janë të përfshirë në hartimin e politikave.”

Nga ana e saj, ndërmarrja NOCAL thotë se reformat e nevojshme janë duke u përgatitur. Firma thotë se mbështet përpjekjet për trasnparencë më të madhe në lidhje me mënyrën e menaxhimit të të ardhurave. George Moore, banor i Monrovias thotë se siguria është një shqetësim tjetër.

“Ne flasim rreth vendeve që prodhojnë naftë dhe kemi parë se shumë prej tyre janë të përfshira në konflikte. Këto konflikte janë rezultat i prodhimit të naftës në këto vende. Ne kemi ardhur në përfundim se prodhimi i naftës ka prishur qëndrueshmërinë e një vendi kur bëhet fjalë për zhvillimin e infrastrukturës dhe zhvillimit”.

Në Nigeri, një vend kryesor i prodhimit të naftës në rajon, javët e fundit forca kryengritëse kanë rifilluar sulmet duke kërkuar shpërndarje të barabartë të pasurisë së krijuar nga nafta.

Vetë Liberia ka qënë viktimë e luftës civile 14 vjeçare e cila pjesërisht është financuar nga të ardhurat e krijuara prej burimeve natyrore. Ish kryengritësi që u bë president Charles Taylor, shfrytëzoi burimet financiare të fituara nga tregëtia e drurit për të paguar ushtarët dhe për të blerë armë.

Presidentja e tanishme e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf ka premtuar se do të krijojë politika të cilat do të garantojnë që të ardhurat nga prodhimi i naftës do të përdoren për “të mirën e vendit dhe të gjithë njerëzve”. Megjithatë, liberianët thonë se ata do të presin për të parë nëse ky premtim do të bëhet realitet.

XS
SM
MD
LG