Libia thotë se 22 vetë janë vrarë gjatë një dite luftimesh në Tripoli ndërmjet formacioneve rivale që konkurrojnë për të marrë kontrollin e aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit.
Qeveria e përkohshme tha se ky ishte numri i të vdekurve nga luftimet që filluan një ditë më parë mes milicisë islamike të qytetit bregdetar Misrata dhe atyre të qytetit malor Zintan, luftëtarë që dikur luftuan krah për krah për të larguar diktatorin libian Muamer Gadafi në vitin 2011.
Qeveria tha se "grupe të armatosura rëndë" bombarduan objekte civile", një kapitull i ri ky në luftimet që kanë shkaktuar mbi 200 të vdekur javët e fundit.
Bombardimet e milicive shkaktuan zjarre në tetë depo të mëdha nafte, duke e mbuluar me shtëllunga të mëdha tymi qiellin e Tripolit.
Libia po përballet me dhunën më të ashpër që nga përmbysja e Gadafit, gjë që ka ngjallur shqetësimin se vendi po zhytet në konflikte të thella civile. Disa vende janë detyruar të tërheqin diplomatët dhe të mbyllin ambasadat e tyre.