Lidhje

Libia mban zgjedhjet parlamentare më 25 qershor


Komisioni zgjedhor i Libisë ka njoftuar se zgjedhjet parlamentare në këtë vend do të mbahen më 25 qershor.

Njoftimi vjen ndërkohë që përleshjet e ditëve të fundit mes forcave qeveritare dhe forcave besnike të një gjenerali të dezertuar kanë shtuar frikën e rrëshqitjes së vendit në luftë civile.

Gjeneral Khalifa Haftar e konsideron veten si një nacionalist i cili po bën një luftë për të shpëtuar Libinë nga ekstremistët islamikë. Luftimet ndërmjet forcave të tij dhe rivalëve të tyre kanë lënë të vrarë të paktën 70 njerëz që nga e premtja.

Ligjvënësit libianë u takuan dje në një përpjekje për të ri-marrë kontrollin e vendit në prag të sfidave nga mbështetësit e gjeneralit Haftar. Kryeministri i ri libianë Ahmed Maitiq u kërkoi ligjvënësve që të shtyjnë një votëbesim për kabinetin e tij për 10 ditë për të lejuar krijimin e një qeverie të konsensusit.

Më parë këtë muaj, zyrtarët libianë konfirmuan zgjedhjen e zotit Maitiq si kryeministër të ri të vendit. Megjithatë, disa ligjvënës kanë kundërshtuar emërimin e tij, duke thënë se votimi për konfirmimin e tij u bë pa kuorum.
XS
SM
MD
LG