Lidhje

Lindja e Mesme, rajoni më i rrezikshëm për gazetarët për 2011


Lindja e Mesme, rajoni më i rrezikshëm për gazetarët për 2011
Lindja e Mesme, rajoni më i rrezikshëm për gazetarët për 2011

Vdekja e gazetarit televiziv francez Gilles Jacquier në Siri e ka rritur më tej numrin e gazetarëve të vrarë, të ndaluar apo të sulmuar, ndërkohë që punonin për të mbuluar kryengritjen Pranvera Arabe. Korrespondentja Lisa Bryant njofton nga Parisi se Lindja e Mesme ishte rajoni më i rrezikshëm për gazetarët gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të organizatës Gazetarët Pa Kufij:

Franca ka kërkuar zhvillimin e një hetimi të plotë për vdekjen e gazetarit të kanalit televiziv France 2, Gilles Jacquier, i cili u bë gazetari i parë perëndimor i vrarë në Siri që pas fillimit të kryengritjes anti-qeveritare 10 muaj më parë. Ndryshe nga shumë gazetarë, të cilët janë përpjekur të futen në Siri pa viza, gazetari 44-vjeçar francez ishte në qytetin Homs të Sirisë me leje qeveritare. Ai u vra nga një raketë e hedhur, ndërkohë që ai po mbulonte një tubim pro-qeveritar.

Vlerësime të shumta i janë bërë punës së francezit Jacquier, një gazetar veteran që ka mbuluar konflikte në Irak, Afganistan, Kongo, Ballkan, etj. Në një intervistë televizive, Dretori i Informacionit për Televizionet Franceze Thierry Thillier e cilësoi zotin Jacquier si një personifikim i gazetarit profesionist, i cili kishte plot miq në radhët e kolegëve të tij.

Vdekja e francezit Jacquier shton numrin e gazetarëve të vrarë, të sulmuar dhe të ndaluar gjatë mbulimit të kryengritjes Pranvera Arabe. Organizata Gazetarët pa Kufij përllogarit se 20 gazetarë u vranë dhe 553 të tjerë u sulmuan ose u kërcënuan në Lindjen e Mesme gjatë vitit 2011, që përfaqëson numrin më të lartë të çdo rajoni. Soazig Dollet kryeson zyrën e organizatës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore:

"E përbashkëta mes të gjitha kryengritjeve arabe që nga viti i kaluar është se të gjitha regjimet janë përpjekur të kontrollojnë shkëmbimin e informacionit. Të gjitha regjimet janë përpjekur të vendosin një bllokim të informimit lidhur me demonstratat e para, protestat dhe shtypjen e protestuesve, duke sulmuar median lokale dhe duke mos u lejuar qasje gazetarëve”.

Zonja Dollet thotë se francezi Jacquier u bë i katërti gazetar që vritet në Siri që nga fillimi i kryengritjes në këtë vend. Ashtu si qeveria franceze, edhe organizata Gazetarët pa Kufij i ka bërë thirrje regjimit sirian të hetojë rrethanat e vrasjes së gazetarit.

"Nuk u kemi bërë thirrje gazetarëve të huaj të mos shkojnë në Siri. Bota ka nevojë për informacion mbi zhvillimet në Siri. Duke mos shkuar në Siri, ne do të luanim lojën e regjimit. Ne kemi nevojë për gazetarë në terren. Ata janë burimi i vetëm i pavarur i informacionit për të kuptuar se çfarë po ndodh në Siri”.

Vrasje gazetarësh ka pasur edhe në Jemen, Libi, Egjipt dhe gjatë revolucionit relativisht të qetë në Tunizi, një vit më parë.

XS
SM
MD
LG