Lidhje

Tiranë: Debate mbi taksat e biznesit të vogël


Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi sot një takim me ministrin e financave dhe ekonomisë, Arben Ahmetaj, ku u diskutua mbi paketën fiskale të vitit të ardhshëm dhe aksionin kundër informalitetit.

Përfaqësuesi i Dhomës, Marc Crawford, tha se gjithë bizneset presin të dëgjojnë se sa do të ndikohen nga paketa e re fiskale dhe nga masat kundër informalitetit, por në tërësi ato janë hapa pozitive përpara.

Tiranë, takim për ekonominë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:28 0:00

“Ekonomia duhet ndihmuar të bëhet më e ligjme, gjë që ne si Dhomë po e mbështesim, që të bëhet më e ndershme dhe një garë me rregulla të barabarta si dhe të mos ketë favorizime të njëanshme” - tha zoti Crawford.

Ndërsa ministri Ahmetaj tha se kjo është faza e tretë e goditjes së informalitetit dhe qëllimi nuk është të mblidhen në terren më shumë të ardhura, duke bërë presion mbi sipërmarrjet, por të vendosen rregulla të drejta e të njëjta. Fokusi nuk është te biznesi i vogël, sepse ato sjellin vetëm 1% të ardhura nga tvsh-ja, tha zoti Ahmetaj.

“Madje këtu dua të flas edhe për shtrirjen e tvsh-së deri ek niveli I sipërmarrjes së vogël 2 milionë lekë, jo me qëllim për t’I kontrolluar ata, por me qëlim për të strukturuar përfundimisht transaksionin nga I madhi te I vogli. Qëllimi është strukturimi I biznesit të madh, sepse ai sjell 99 për qind të të ardhurave nga tvsh-ja, dhe asnjë administratë e logjikshme nuk ndjek aq shumë të vegël vetëm për 1 për qind” - tha ministri Ahmetaj.

Futja e bizneseve të vogla në skemën e tvsh-së është elementi më i rëndësishëm, që është diskutuar gjatë hartimit të paketës së re fiskale. Drejtuesja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi, thotë se bizneset reaguan fort kundër kësaj mase për peshën që u sjell dhe për mënyrën se si u bë.

“U tha një fjalë nga kryeministri, u tha një herë do të përjashtohen, pastaj u tha se nuk do të ketë asnjë përjashtim, se do të fillojnë të gjithë nga zero. Kur u pa që reagimi nuk ishte shumë pozitiv filluan duke thënë se do të përjashtohen profesionet e lira, se do të përjashtohen shërbimet. Sot kemi ardhur në një pikë që ministry Ahmetaj tha që kufiri për vendosjen e tvsh-së është 2 milionë lekë, ndërkohë që duket se ka shumë përjashtime. Mua më duket se këtu po bihet nga shiu në breshër. Po hiqen disa përjashtime, se sjellin evasion fiscal, dhe ndërkohë futen disa përjashtime të tjera” - tha zonja Liperi.

Në takimin me anëtarët e Dhomës amerikane të tregtisë, ministri Ahmetaj tha se vetëm nga monitorimi i xhiros brenda 20 ditësh u kaluan mbi 920 biznese të vogla në statusin e biznesit të madh, gjë që tregon se ka shumë rezerva dhe shifra të fshehura.

“Janë zhvilluar deri tani 4 mijë e 300 kontrole nga zyra dhe vetëm 140 vizita fiskale pranë bizneseve. Pra, nuk duam ta bezdisim sipërmarrjen, duke I shkuar te dera, por po përdorim mjete të tjera për të monituar transaksionet dhe duke këshilluar dhe edukuar bizneset, që t’I largohen evazionit” – tha ministry Ahmetaj.

Megjithaë vëzhgues të ekonmisë reale në vend, si zonja Liperi, pohojnë se informalitetin e bëjnë kryesisht bizneset e mëdha, por këtej e tutje, edhe kjo peshë do të shkarkohet mbi bizneset e vogla dhe këta do ta hedhin barrën tek klientët e thjeshtë, ku konsumi është në nivelet e vitit 2013.

“Jemi përsëri në të njëjtën gjë. Teorikisht biem dakord që futja e bizneseve në skemën e tvsh-së mund ta ulë evazionin, por praktikisht Shqipëria ka aq probleme dhe një strukturë ekonomike aq të ndërlikuar dhe të mbështetur shumë tek bizneset e vogla, saqë praktikisht më duket se po bëhet sërish një rrëmujë e madhe. Në pamje të parë duken lëvizje pozitive dhe ide pozitive, por mënyra se sip o zbatohen këto elemte të paketës lënë shumë për të dëshiruar” - tha zonja Liperi e revistës Monitor.

Qeveria synon sivjet një rritje mbi 4.5-5 për qind, falë masave fiskale, lehtësirave dhe investimeve të ndryshme, por skeptikët mendojnë që lehtësirat e premtuara deri tani nuk u janë drejtuar sektorëve gjithëpërfshirës, në mënyrë që edhe rritja të jetë gjithëpërfshirëse dhe ta ndjejnë të gjithë. Sipas tyre, lehtësira në ndërtime dhe turizëm elitar mund të rregullojnë shifrat por nuk zbresin tek ekonomia familjare e qytetarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG