Lidhje

Lirim me kusht për ish-drejtorin e Nissanit; gati 9 milionë dollarë garancia


Një gjykatë japoneze miratoi të martën lirimin me kusht për ish-drejtuesin e kompanisë “Nissan”, Carlos Ghosn, kundrejt një garancie financiare prej 8.9 milionë dollarësh. Prokurorët kishin paraqitur një ankimim vetëm disa orë përpara njoftimit të gjykatës për lirimin e tij, deri në zhvillimin e procesit gjyqësor për shkelje të ligjeve për korporatat.

Avokati mbrojtës tha se zoti Ghosn do të vazhdojë të mbahet në burgun e Tokios deri të paktën të mërkurën, pasi procedurat e lirimit me kusht nuk mund të kryhen gjatë orëve të mbrëmjes.

Zoti Ghosn përsëriti në një deklaratë se është i pafajshëm dhe falenderoi familjen dhe miqtë që e mbështetën gjatë “kësaj përvoje të tmerrshme”. Ai lavdëroi gjithashtu aktivistët e të drejtave të njeriut dhe organizatat joqeveritare në mbarë botën “që luftojnë për prezumimin e pafajësisë dhe procesin e drejtë gjyqësor”.

Lirimi i pritshëm i zotit Ghosn u mundësua pas një kërkese të avokatit Hironaka, i cili u bë rishtazi pjesë e ekipit të avokatëve mbrojtës. Junichiro Hironaka njihet për fitimin me vendim pafajësie të çështjeve gjyqësore në Japoni, vendi ku 99% e çështjeve gjyqësore përfundojnë me dënime. Gjykata kishte refuzuar dy kërkesa të mëparshme për lirimin e ish-drejtuesit të korporatës.

Hironaka e ka përshkruar rastin e klientit të tij si të “një pengu të drejtësisë” dhe ka kritikuar sistemin gjyqësor të Japonisë për dënimet e gjata dhe të padrejta. Rasti në fjalë ka kthyer vëmendjen ndërkombëtare ndaj sistemit japonez të drejtësisë penale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG