Lidhje

Konkursi i Organos i Kopshteve Longwood


Një shekull më parë, industrialisti dhe filantropi Pierre du Pont e përdori pasurinë e tij për ndërtimin e një kopshti të bukur në sheshin Kennett, në Pensilvani. Jo vetëm që atje kishte kopshte të bukura dhe shatërvane të mëdha, por du Ponti përdori mbi një hektar e gjysmë për të ndërtuar sera të mëdha qelqi. Ah, po, edhe një organo masive me më shumë se 10 mijë tuba. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Eric Felten shkoi për të dëgjuar pjesëmarrësit që luanin instrumentin muzikor në të parin Konkurs Ndërkombëtar për Organo të Kopshteve Longwood.

Një serë mund të duket si një vend i çuditshëm për të vënë një organo të madh me tuba. Por ato tek Kopshtet Longwood nuk janë sera të zakonshme. Zoti Paul Redman, Drejtor i Kopshteve Longwood, shpjegon se çfarë kishte në mendje Pierre du Pont kur ai porositi ndërtimin e organos:

“Pallati i tij, që ai krijoi, ishte pallati ynë i luleve dhe serave. Dhe ky ishte me të vërtetë vendi ku ai argëtonte anëtarët e familjes së tij dhe miqtë. Dhe kështu që pse të mos ketë një sallë të madhe, ku ai mund të ketë darka dhe festa shumë të mëdha për miqtë e tij dhe të familjes? Dhe pse të mos ketë edhe një organo?”

Ndërtuar në vitin 1930, organoja është restauruar kohët e fundit, gjë që kushtoi mbi tetë milionë dollarë. Për të festuar restaurimin organos, Kopshtet Longwood këtë vit organizuan një konkurs të këtyre instrumenteve muzikore. Dhjetë gjysëm-finalistë të moshave ndërmjet 18 dhe 30 vjeç u zgjodhën nga e gjithë bota. Ata konkurruan për çmimin e parë prej 40 mijë dollarësh.

Organoja me tuba nuk është saktësisht një instrument që zgjidhet për tu mësuar nga muzikantët e rinj. Shumë prej organistëve konkurrentë në Kopshtet Longwood e kanë dëgjuar muzikën e organove për herë të parë në kishë dhe ishin hipnotizuar me fuqinë dhe kompleksitetin e instrumentit. Kur ishte i vogël, Benjamin Sheen këndonte në korin e Katedrales së Shën Palit në Londër. Ai kurrë nuk mund të kishte luajtur organon, nëse nuk do të kishte humbur zërin për pak kohë:

“Kur isha 11 vjeç, nuk mund të këndoja sepse isha sëmurë me laringjit, dhe do të më duhej të prisja rreth gjashtë muaj për të kënduar përsëri. Dhe një nga detyrat e mia parësore ishte që të ktheja faqet muzikore për organistët gjatë çdo shërbimi. U njoha me këtë instrument të mrekullueshëm në Katedralen e Shën Palit dhe një ditë mendova se dhe unë do të doja të provoja ta mësoja."

Me tastiera të shumta, pedale këmbe, dhe qindra çelësa kontrollues për tingujt e tubava, organoja është një instrument tejet i vështirë për t’u zotëruar.
Një nga sfidat më të mëdha për një organist të ri është zotërimi i muzikës së Johan Sebastian Bach-ut. Në konkursin e organos tek Kopshtet Longwood, çdo konkurruesi i kërkohej të luante të paktën një vepër nga kompozitori i epokës barok sepse muzika e tij është pjesa kryesore e repertorit të tyre.

Instrumenti në Kopshtet Longwood është ndërtuar që të jetë një orkestër në vetvete. Anëtari i jurisë për konkursin Peter Richard Conte është organisti kryesor i organos së Longwood-it, dhe ai renditi disa prej tingujve të rralla që instrumenti mund të të sjellë në mendje:

“Një koleksion i mrekullueshëm tingujsh orkestralë, duke përfshirë një grup të madh me intrumente telash, dhe gjëra të tilla si briri frëng dhe klarinetat, dhe oboe orkestrale dhe brirët anglezë që ju nuk i gjeni në organot e zakonshme të kishave.”

Zoti Peter Richard Conte i lavdëroi konkurruesit për gjetjen e mënyrave të ndryshme të përdorimit të organos së Longwood-it.

“Vendosja e tyre me të vërtetë na mahniti...ata me të vërtetë po përdorin të gjithë energjinë e tyre për shfaqjet e tyre.”

Pas tre ditësh të këtij konkursi, çmimin e parë e fitoi koristi i dikurshëm Benjamin Sheen. Ai e mbaroi shfaqjen e tij me transkriptimin e vetin personal të një pjese për orkestër të Johannes Brahms-it, “Overtura Tragjike.”
XS
SM
MD
LG