Lidhje

“Librat e babait” dhe “Koha e dhive” në anglisht


“Shumica e njerëzve duan të jetojnë në paqe, edhe pse fatkeqësisht, nuk është shumë e vështirë që strukturat shoqërore të shthuren.” Kështu u shpreh profesoresha Christina Kramer e Universitetit të Torontos, lidhur me tensionet ndëretnike në Maqedoni. Ajo është përktheyesja në anglisht e dy romaneve të shkrimtarit Luan Starova dhe komentet i bëri në Bibliotekën e Kongresit, këtu në Uashington, gjatë një promovimi të këtyre botimeve. Materiali është përgatitur nga kolegu Julian Zyla.

Botime të Luan Starovës në anglisht
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:10 0:00

Në Bibliotekën e Kongresit amerikan u zhvillua një aktivitet për promovimin e botimeve në gjuhën angleze të dy romaneve të shkrimtarit shqiptar nga Maqedonia, Luan Starova. Romanet “Koha e dhive” dhe “Librat e babait”, janë sjellë për lexuesin anglishtfolës nga profesoresha e gjuhëve sllave dhe të ballkanit në Universitetin e Torontos, Christina E. Kramer. Ajo shpjegon se prej kohësh ka qenë e interesuar jo vetëm për gjuhët e vendeve të ndryshme të Ballkanit, por edhe për kontekstin kulturor të tyre.

“Para së gjithash, kam qenë e interesuar prej një kohe të gjatë rreth mënyrës se si kulturat e ndryshme të popujve të Ballkanit bashkëjetojnë. Zona gjuhësore e Ballkanit është e mundur, pra mund të shpjegohet vetëm, nëse ka patur shumë ndërveprim midis njerëzve në një nivel mjaft të ngushtë. Luan Starova na lejon që të shohim këtë marrëdhënie në fushën kulturore. Pra ishte diçka që bashkoi disa prej interesave të mia.”

Zoti Luan Starova ka shërbyer gjithashtu si ambasador i Maqedonisë në Francë, Spanjë, Portugali dhe pranë UNESCO-s. Ngjarjet në romanin e tij “Librat e babait” – i pari i një serie librash mbi Ballkanin – zhvillohen nën tre regjime: atë otoman, fashist dhe stalinist, duke trajtuar tema si historia, shpërnguljet dhe identiteti.

“Të gjithë ne kemi shumë identitete njëkohësisht. Unë, për shembull, jam amerikane por jam edhe kanadeze, dhe flas gjuhë të ndryshme. Mendoj se ajo që zoti Starova kërkon të thotë është se të gjithë ne jemi shumë gjëra njëkohësisht dhe kemi identitete të ndryshme. Në romanin “Librat e babait” ka një moment në të cilin mamaja po kthehet nga Shqipëria dhe në kufi e pyesin: “Cili është shteti yt? Çfarë kombësie je ti?” Ajo përgjigjet: “Vendi im është aty ku jetoj, dhe populli im është familja ime”. Gjetja e vetvetes në komunitetin e gjerë mendoj se është qëllimi i romanit të Starovës.”

Gjatë aktivitetit promovues, në të cilin vetë shkrimtari nuk ishte i pranishëm, profesoresha Kramer lexoi një pjesë prej romanit “Koha e dhive” në tre gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht.

“Mendoj se artistëve gjithmonë do t’u pëlqente të besonin se vepra artistike që u vjen nga zemra të mund të kishte një rol në arenën politike dhe të mund të zgjidhte probleme politike. Në dëshirën time për të përkthyer librat e tij në anglisht ndikoi fakti që doja të sillja një zë që të shërbente si kundërpeshë ndaj zërave që thonë se njerëzit në ballkan vetëm luftojnë dhe janë të ndarë, duke treguar se në të vërtetë shumë njerëz në ballkan kërkojnë mirëkuptim reciprok.”

“Në zemrën time, por ndoshta dhe diku në mendjen time, unë mendoj se njerëzit vërtet duan të jetojnë në paqe. Mendoj se shumica e njerëzve duan që fëmijët e tyre të kenë një punë dhe duan të jetojnë së bashku. Fatkeqësisht, nuk është shumë e vështirë që strukturat shoqërore të shthuren. Unë shpresoj që më të mençurit të mbizotërojnë dhe që njerëzit që janë të aftë ta qepin pëlhurën shoqërore të dëmtuar të kenë sukses.”

Aktiviteti u organizua nga Departamenti Evropian i Bibliotekës së Kongresit në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare të Shiptaro-Amerikanëve (AANO) dhe shoqatën e diasporës maqedonase (UMD).
XS
SM
MD
LG