Lidhje

Lufta kundër sëmundjes HIV/SIDA vazhdon


Lufta kundër sëmundjes HIV/SIDA vazhdon
Lufta kundër sëmundjes HIV/SIDA vazhdon

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara do të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë këtë javë (8 qershor), dhjetë vjet pas daljes me zotimin për t'u siguruar trajtim të gjithë atyre që ishin prekur nga virus HIV dhe SIDA. Pesë rastet e para të sëmundjes u diagnostikuan në Los Anxhelos në vitin 1981. Sot, më shumë se 33 milionë njerëz në të gjithë globin janë prekur nga virusi HIV, por ky vit - 30 vjetori i njohjes së kësaj sëmundjeje - sjell shpresa të reja për gjetjen e një kure.

Më 8 qershor u mbushën pikërisht 30 vjet nga njoftimi i 5 rasteve të para të Sidës në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 25 milionë njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje që nga ajo ditë. Kate Ratklif, infermiere në pension - kujton ditët e para.

"Ishte e frikshme, tronditëse dhe tmerrësisht, tmerrësisht e trishtuar. Kalimi nga shfaqja e sëmundjes deri në vdekje të pacientit ishte aq e shpejtë."

Neil Giuliano, Drejtori i Përgjithshëm i Fondacionit San Francisco AIDS, gjithashtu mban mend luftën për kontrollin e kësaj sëmundje të re:

"Ishin përpjekje të ngjashme me ato të menaxhimit të krizave. Ishin përpjekje për të tërhequr vemendjen e qeverisë në nivel kombëtar, sepse këtu në San Francisko zyrtarët ishin shumë të përgjegjshëm. Në atë kohë, buxheti i San Franciskos për t'u marrë me Sidën ishte më i madh sesa ai i qeverisë federale për këtë sëmundje. "

Në vitet 1980 një i infektuar me HIV dhe SIDA shpesh dëbohej nga shoqëria, diçka që ishte dënuar nga presidenti në atë kohë.

"Në Florida, tre vëllezër të moshës 10, 9 dhe 7 vjeç ishin prekur me virusin HIV dhe prifti i kishte kërkuar gjithë familjes, që të mos vinin më në Kishë. Por kjo frikë mesjetare dhe u pranua në këtë vend."

Sot në botë, rreth 2 milionë njerëz vdesin çdo vit nga Sida dhe virusi HIV, kryesisht në vendet e varfëra ku mungon trajtimi i duhur mjekësor. Në sajë të përparimeve mjekësore, njerëzit e sapo diagnostikuar me HIV në Shtetet e Bashkuara sot kanë një jetëgjatësi që është vetëm disa muaj më e shkurtër sesa jetëgjatësia e njerëzve pa këtë sëmundje.

Por gjendja ishte ndryshe në 1995, kur Timothy Ray Brown nga San Franciskos, që punonte si përkthyes në Berlin, mësoi se ishte prekur nga virusi HIV. Barnat filloi t'i marrë me ndërprerje për shkak të efekteve anësore dhe i ndërpreu ato plotësisht në vitin 2006, kur u diagnostikua me leuçemi, problem që nuk lidhet me HIVin. Kimioterapia e dobësoi aq shumë sa ai u mbajt në gjendje kome për për të lejuar trupin të shërohej.

Gjendja e tij ishte thuajse pashpresë. Gero Huetter, ekspert i kancerit të gjakut në Universitetin e Berlinit, e dinte se një transplantim i qelizave të gjakut ishte shpresa më e mirë. Por synimi i tij shkonte edhe më tej. Në një studim të 1996 ai kishnte parë se disa njerëz që ishin ekspozuar ndaj virusit HIV nuk ishin infektuar prej tij. Ata kishin gjene të ndryshuara që krijojnë rezistencë natyrore ndaj virusit. Rreth 1për qind e njerëzve të bardhë kanë gjene të tilla.

Pas kërkimeve, dolën më shumë se 200 donatorëve të mundshëm dhe doktor Huetter filloi analizat për gjenin rezistencës dhe e gjeti atë tek një gjermano amerikan 25 vjeçar. Transplantimi i gjenit u krye në vitin 2007. Një vit më vonë Brownit iu kthye leuçemia, por jo virusi HIV. Në vitin 2008, ai kreu një tranplantim të dytë gjenetik nga i njëjti dhurues. TaniTimothy Ray Brown, 45 vjeç, pa asnjë shenjë virusi, nuk ka më nevojë për ilaçe.

"Mjeku mendoi se tranplantimi i gjeneve do të jepte rezultate. Unë atëherë nuk isha i sigurt. Tani them se është një mrekulli, që ka ndryshuar plotësisht perspektivën e jetës time."

Ky sukses ka frymëzuar shkencëtarët në përpjekje për një taktikë të ngjashme, duke modifikuar disa prej qelizave të gjakut që luftojnë infeksionin për të kontrolluar mutacionin dhe ti rezistojnë virusit HIV. Teorikisht, kjo do të forconte sistemin imunitar dhe personave të prekur nuk do t'u duhet të marrin barna kundër virusit HIV.

Shkencëtarët e provuan këtë terapi tek disa pacientë, përfshi Matthew Sharp nga San Francisko. Gjashtë muaj më vonë, numri i qelizave që luftojnë infeksionit është shtuar, por shkencëtarët thonë se është ende herët të flitet për sukses të plotë. Eksperimente në dhjetra pacientë të tjerë janë në proces. Por disa ekspertë thonë se qasje të tilla nuk mund të ndihmojnë rreth 33 milionë njerëz që sot figurojnë të prekur nga SIDA, veçanërisht ata në vendet e varfëra. Diana Havlir e departamentit të luftës kundër SIDËS thotë se një nga sfidat më të mëdha është vetëkënaqësia se po arrihet sukses, gjë që ndikon në largimin e vemendjes nga kjo sëmundje. Sipas programit të OKB-së mbi Sidën, të paktën 32 kryetarë e nënkryetarë shtetesh, kanë konfirmuar pjesmarrjen e tyre në takimin 3 ditor mbi Sidën që filloi më 8 qershor.

XS
SM
MD
LG