Qytetarë dhe drejtues të pushtetit vendor në qytetet kryesore të Shqipërisë morën sot pjesë në disa veprimtari mjedisore kushtuar Ditës Ndërkombëtare pa makina. Megjithë pemët e shumta që janë mbjellë anë rrugëve, trafiku i automjeteve i shkakton Tiranës një ndotje 2-3 herë më të madhe se normat e lejuara nga Bashkimi Europian, duke e bërë kryeqytetin shqiptar një nga qytetet më të ndotura të Europës. Një nga studimet e fundit të UNDP dhe ISHP ka nxjerrë se ndotjet e mjedisit prej mjeteve të transportit janë shkaktarë të sëmundjeve për një mijë e 500 persona në vit. Shtimi i trafikut në Tiranë dhe zonën drejt Durrësit ka bërë që Tirana të zërë vendin e parë si për grimcat e ngurta ashtu edhe për blozën dhe benzenin.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shëtiti sot me biçikletë në rrugët e kryeqytetit i shoqëruar nga veprimtarë të mjedisit, në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve kundër përdorimit të tepruar të automjeteve.
Specialistët e mjedisit kanë bërë të ditur se rreth 1mijë e 400 persona në vit vuajnë nga sëmundjet kancerogjene. Sipas tyre, krahas uljes së numrit dhe përdorimit të automjeteve të vjetra, për të ulur ndotjet nevojitet kontrolli më i saktë për benzinën që importohet. Natyrisht nevojitet edhe kufizimi i mjeteve në trafik dhe shtimi i biçikletave.
Zoti Basha paraqiti një projekt të ri të bashkisë për të shtuar 20 kilometra rrugë biçiklete në unazë dhe në kryqëzimet më të ndotura nga trafiku, të njohura si Zogu i Zi, 21 dhjetori, stacioni i trenit, ish-Blloku, Medreseja, xhamlliku, Bërryli dhe rruga e Elbasanit.
Deri tani bashkia ka shtuar rreth 8 km korsi bicikletash në Tiranë, por ato janë mëse të pamjaftueshme. Automjete dhe shoferë të të gjitha moshave vrapojnë pa kontroll në rrugët e kryeqytetit duke djegur karburante të çdo lloji dhe jashte çdo kontrolli. Ndotja e ajrit shkakton në shumicën e rasteve sëmundjet më të rënda si kanceri i mushkërive, i cili vret 150 vetë në vit nga rreth 1500 të prekur por sjell edhe sëmundje të tjera si astma dhe bronkopneumonia obstruktive.