Lidhje

Maqedoni: Shënohet data e alfabetit shqiptar


Data 22 nëntor në Maqedoni shënohet si festë për shqiptarët e këtij vendi, me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe. Festa vlen vetëm për shqiptarët, ndërsa pjesëtarët e komuniteteve të tjera e kanë ditë të zakonshme pune.
Zyrtarët shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë organizojnë me këtë rast aktivitete kulturore në qytetin e Manastirit, përkatësisht në shtëpinë ku para 109 vjetësh u mbajt Kongresi i Manastirit kur edhe u arrit pëlqimi në mes figurave të shquara të kombit për alfabetin e gjuhës shqipe.
Shtëpia, e cila i përkiste familjes së shquar atdhetare Qiriazi, prej disa vitesh e ka statusin e muzeut, megjithatë nuk është në një gjendje të kënaqshme; vizitorët shpesh herë e gjejnë atë të mbyllur, ndërsa ende nuk janë pastruar çështjet pronësore dhe kati përdhes shërben për biznese private. Muzeu po ashtu disa herë gjatë viteve të fundit ka qenë në shënjestër të sulmeve vandale.
Muzeun e vizitoi të marten presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, i cili është njëkohësisht president i parë shqiptar i cili i bën vizitë kësaj shtëpie të rëndësidhme për historinë e të gjithë popullit shqiptar.
Ndërkaq, Instituti për mbrojtjen e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me seli në Shkup, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë promovoi pullën postare me portretin e Faik Konicës, me rastin e 75 vjetorit të vdekjes, si dhe pullat postare me figurat e tjera kombëtare shqiptare.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14 dhe 22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga shoqata dhe klube të ndryshme. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Qyteti i Manastirit në atë kohë vlerësohej si qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij kongresi, në të cilin ishin të pranishëm intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG