Lidhje

Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni


Vendimi i së mërkures i parlamentit të Maqedonisë për miratimin në votimin e parë (në Maqedoni ligjet votohen dy herë) të projektligjit për përdorimin e gjuhëve, ka krijuar përshtypjen se Marrëveshja e Ohrit po përmbyllet, pas kaq vitesh.

Deputetët e shumicës parlamentare ku bëjnë pjesë Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët me Rilindjen Demokratike Kombëtarë, por edhe deputetët e Lëvizjes Besa dhe një deputete e Partisë Demokratike Shqiptare e ngritën numrin në 66 të ligjvënëseve që votuan pro ligjit, ndërsa 41 deputetë opozitarë të VMRO-DPMNE-së votuan kundër.

Këta të fundit kanë paralajmëtruar një numër të madh propozim amendamentesh për në fazën e dytë të debatit mbi ligjin.

“Do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë e mundshme demokratike brenda palamentit, që në fazën e fundit të ndikojmë në mënjanimin e lëshimeve në këtë ligj” – u shpreh Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

VMRO-ja vlerëson se me këtë ligj avancohet vetëm një komunitet etnik, përkatësisht shqiptarët, por jo edhe pakicat e tjera si turqit, romët, serbët, vllehët, etj. Partia po ashtu mendon se gjuha shqipe detyron administratën edhe në komunat ku nuk jeton asnjë shqiptar në lindje të vendit, që të krijojë kushte, të panevojshme sipas partisë, për përdorimin dhe zbatimin e saj; ndërsa partia ngul këmbë në përcaktimin e shkallës së përdorimit zyrtar të shqipes në nivele të caktuara, por jo zyrtarizimin e saj në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, BDI në pushtet e quan si gjuhë të dytë zyrtare shqipen në të gjithë Maqedoninë, por ekspertë të fushës vlerësojnë se bëhet fjalë për avancim të përdorimit të saj dhe jo zyrtarizim, apo gjuhë e dytë zyrtare në vend.

Komisioni parlamentar për Çështje Evropiane ka caktuar datën 22 nëntor për të debatuar mbi propozim-ligjin. Debati në këtë komision zgjat tre ditë. Pastaj propozimi kalon në Komisionin parlamentar juridik-ligjvënës dhe më pas në seancë plenare për votim të dytë.

Gjuha shqipe me ligjin e ri pritet të ketë avancim në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale. Aktualisht, kryetari i parlamentit, duke qenë shqiptar, nuk ka të drejtë që seancat t’i drejtojë në gjuhën e tij amtare.

Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 përqind të popullsisë së Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001 ngërtheu brenda vetes një sërë ligjesh që ngritnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe pati mbetur gjatë kohë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare në Maqedoni.

Kryeministri i ri Zoran Zaev pati bërë premtime qysh gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit, 2016 se do të angazhohej për zgerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG