Lidhje

Shqiptarët kërkojnë status shtet-formues në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë kërkuar si kusht për të hyrë në koalicionin e ri qeveritar, barazinë e plotë të statusit të tyre me atë të shumicës maqedonase, si edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit.

Këto kërkesa janë parashtruar në një marrëveshje mes tyre që përfshin kushtet për pjesëmarrje në koalicion, që u bë publike të shtunën. Në qendër të marrëveshjes janë kërkesat për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Në deklaratën e marrëveshjes së arritur ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim, Lëvizjes Besa (koalicioni “Rilindje me Besë”) dhe koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, shprehet përkushtimi për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me Kushtetutën e Maqedonisë.

Në deklaratë thuhet se partitë kanë rënë dakord për "zbatimin e plotë të parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike. Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956", thuhet në deklaratën e miratuar nga drejtuesit e partive politike të Maqedonisë që pasoi marrëveshjen e arritur mes tyre pas takimeve me udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës.

Në dokument kërkohet mes tjerash edhe mbështetje e plotë për punën e Prokurorisë së Posaçme dhe “zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare”.

Deklarata përfshinë edhe kërkesat për barazi ekonomike si dhe formimin e një ministrie për sistem politike dhe marrëdhënie me komunitetet, si dhe realizimin e përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, shërbimeve të zbulimit dhe drejtësisë.

Deklarata i kushton një vëmendje të posaçme edhe zgjidhjes së çështjes së emrit, "në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare".

Partitë shqiptare thuhet mes tjerash, angazhohen për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme për siç thuhet, "prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë; zgjidhjen e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënie të mira me fqinjët, bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve, hapjen e pikave të reja kufitare", e të tjera.

Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare që do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmendura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG