Lidhje

Maqedoni: Qeveria i dorëzon parlamentit projekt-amendamentet kushtetuese


Qeveria e Maqedonisë i dorëzoi të premten parlamentit projekt-amendamentet kushtetuese për ndryshimin e emrit të vendit, sipas Marrëveshjes së Prespës. Parlamenti pritet që t’i miratojë ato në janarin e vitit të ardhshëm. Shumica parlamentare ka siguruar numrin e nevojshëm prej dy të tretave të ligjvënësve për t’i miratuar ndryshimet e kushtetutës.

Maqedoni: Qeveria dorëzon projekt-amendamentet kushtetuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

Për përmbajtjen e këtyre amendamenteve dihej që më parë: në Kushetutë do të fshihet emri Republika e Maqedonisë dhe do të zëvendësohet me fjalët Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në preambulën e Kushtetutës pëson ndryshim edhe deklarata historike nga formimi i Republikës së Maqedonisë pas Luftës së Dytë Botërore, i njohur si manifesti i ASNOM-it apo Këshillit Antifashist për çlirimin e Maqedonisë ku u bëhej thirrje maqedonasve të Greqisë dhe Bullgarisë që të bashkoheshin me ata të Maqedonisë. Në këtë amendament shtohet edhe Marrëveshja e Ohrit.

"Marrëveshja Kornizë e Ohrit tashmë është përfshirë plotësisht në kushtetutën e vendit dhe ne të gjithë e pamë të udhës që këtë marrëveshje ta vendosnim në preambulë si element kushtetues", tha kryeministri Zoran Zaev gjatë një konference për media.

Më pas, në amendamentin e radhës theksohet respektimi i sovranitetit dhe integritetit tokësor të shteteve fqinje.

Në amendamentin 36 theksohet përkujdesja e shtetit për pjesëtarët e popullit maqedonas në shtetet e huaja, ndërkohë që republika, siç qëndron në amendament, nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera as në punët e tyre të brendshme.

Kryeministri maqedonas tha se amendamente të reja veç këtyre nuk do të mund të propozohen nga faktorët tjerë politikë, por ato mund të propozojnë shtesa ndaj këtyre katër amendamenteve kushtetuese.

Çështja e Marrëveshjes së Ohrit në preambulë që ishte kërkesë e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk duket se kënaq shumë shqiptarët me që populli dhe gjuha shqipe nuk figurojnë me emrin e tyre por si “njëzet përqind e një komuniteti”.

Aleanca për Shqiptarët dhe krahu tjetër opozitar i Lëvizjes Besa të cilët kërkojnë që në preambulë të qëndrojë populli shqiptar dhe gjuha shqipe, megjithatë kanë lënë të kuptohet se këtë nuk e kushtëzojnë me votat e tyre për ndryshimet kushetuese.

Shumica parlamentare me katër deputetët e partive opozitare shqiptare dhe tetë të opozitës maqedonase ka siguruar numrin e nevojshëm prej dy të tretave nga 120 vendet sa ka gjithsej parlamenti, ndërsa nuk është për t’u habitur nëse edhe ndonjë ligjvënës i VMRO-DPMNE-së të votojë pro këtyre ndryshimeve të kushtetutës.

Nga ana tjetër, pushteti ka pranuar kushtin e tetë deputetëve opozitarë maqedonas për formimin e një komisioni parlamentar që do të mundësonte faljen apo pajtimin, siç e quan pushteti, të atyre personave të përfshirë në dhunën në parlament në 27 prillin e vitit të kaluar.

Qeveria përpiqet të jetë e kujdesshme për të mos e quajtur këtë amnisti që të mos i minojë para syve të komunitetit ndërkombëtar synimet rreth sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor. Kryeminstri Zaev premtoi një proces transparent të procedurave të këtij pajtimi.

Komisionet parlamentare kanë një afat prej një muaji të debatojnë mbi amendamentet kushtetuese dhe sipas pritshmërive Parlamenti do t’i miratojë ato në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG