Lidhje

Maqedoni: Jepen dënimet për dhunën e prillit në parlament


Nga arrestimet e së martës me urdhër të prokurorisë publike në Shkup lidhur me dhunën e ushtruar në parlament më 27 prill, trembëdhjetë të dyshuarve iu caktua masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh; gjashtë të tjerëve masa e arrestit shtëpiak.

Organizatorët e protestave të dhunshme u dërguan në paraburgim sikurse dhe ish-drejtori i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov.

Ky i fundit, nuk kishte reaguar për dy orë rresht në kohën kur turma e sulmuesve pati hyrë në hapësirat e parlamentit duke ushtruar dhunë fizike ndaj deputetëve të shumicës parlamentare.

Të dyshuarit akuzohen për “cënim terrorist të rendit kushtetues”.

Gjykata themelore në Shkup i është drejtuar me shkrim parlamentit, përkatësisht Komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit për heqjen e imunitetit të gjashtë ligjvënësve të VMRO-DPMNE-së të dyshuar për përfshirje në dhunën e ngjarjeve të 27 prillit.

Bëhet fjalë për deputetët Kërsto Mukovski, Zhaklina Peshevska, Luben Arnaudov, Sashe Vasilevski, Lupço Dimovski dhe Johan Tarçulovski.

Dy të fundit janë të pakapshëm për organet e rendit sikurse edhe 12 persona të tjerë. Deputetët dolën mbrëmë vonë nga Gjykata e Apelit pas shumë orësh të dëshmimin, me që, për shkak të imunitetit nuk mund të mbahen më gjatë në prokurori ose gjykatë.

Deputeti Kërsto Mukovski duket në një filmim nga regjistrimet e shërbimit të parlamentit duke hapur dyert e hyrjes kryesore të parlamentit për të hyrë turma e njerëzve, të cilët sulmuan fizikisht deputetët brenda.

Ndërkaq, opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE ka protestuar natën deri në orët e hershme të mëngjesit të së mërkures dhe ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve dhe udhëkryqeve kryesore në kryeqytet. Partia thotë se pushteti po ushtron trysni dhe frikë në popull dhe se “po i lë të lirë kriminelët, ndërsa po i arreston ata të cilët kundërshtuan “platformën e Tiranës”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG