Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e miratoi të dielën buxhetin për vitin 2020. Buxheti prej 3.9 miliardë eurosh është më i larti ndonjëherë që ka pasur ky vend. 65 ligjvënës të partive në pushtet votuan për, ndërsa 23 opozitarë ishin kundër. Buxheti u miratua pas pesë ditëve debat në parlament.
Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE e kundërshtoi vendimin e qeverisë për këtë buxhet duke e quajtur atë “jozhvillimor dhe që paraqet blerjen parazgjedhore të votuesve”. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pushtetit thanë se buxheti është në pajtim me rritjen e ekonomisë së vendit.
Investimet kapitale janë parashikuar të kenë një rritje ekonomike prej 3,8%, teksa inflacioni në një nivel të ulët prej 2,3%.
Ministrja e Financave, Nina Angellovska gjatë debatit në parlament është shprehur se ky buxhet do të sigurojë përmirësimin e sistemit shëndetësor, arsimor dhe social dhe se do të mbështesë ekonominë vendore, projektet infrastruktutore, nxitjen e investimeve të huaja dhe vende të reja të punës.
Buxheti parasheh nga muaji shkurt ngritjen për 25% të rrogave për mjekët specialistë, për 15% për mjekët e përgjithshëm, për 10% për infermieret dhe për 5% për punonjësit e tjerë shëndetësorë. Megjithatë, kritikët vlerësojnë se buxheti për vitin 2020 ka shkurtime për projekte në fushën e shkencës dhe të arsimit.
Facebook Forum