Lidhje

Kandidatët për komunën e Çairit, paraqesin platformën para zgjedhjeve


Platformat e kandidatëve të komunës së Çairit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:32 0:00

Çairi është një komunë në kuadër të qytetit të Shkupit. E vogël me territor por më e ngjeshura në shkallë vendi për nga numri i popullatës për metër katror; përballet me vështirësi infrastrukturore, ndërtime të parregullta dhe zaptimin e hapësirave të gjelbra. Sot po ju paraqesim pikëpamjet e dy kandidatëve për kryetar komune para zgjedhjeve që do të mbahen të dielën.

Garuesit e Çairit përballen me një numër sfidash dhe premtimet e tyre të mëdha që kërkojnë investieme të shumta duken vështirë të realizueshme.

Ndërsa votuesit presin përmirësimin e kushteve, mirëmbajtjen e rrugëve dhe në veçanti ruajtjen e atij gjelbërimi të pakët në këtë komunë të Shkupit.

Visar Ganiu është kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim për kreun e komunës së Çairit. Ai premton një sërë projektesh të sferave të ndryshme që nga infrastruktura rrugore e pastërtia deri tek arsimi, kultura dhe sporti.

“Së bashku me ekipin tim të ekspertëve kemi hartuar një program të cilin ekemi quajtur ‘Kontrata’. Bazohet në njëmbëdhjetë shtylla ku kemi përfshirë plane nga fusha e sportit, shëndetësisë, urbanizmit, kulturës, investimeve kapitale, efikasiteti energjetik, një shtyllë kjo shumë e rëndësishme”, thotë z. Ganiu.

Intervistën e plotë me kandidatin e BDI-së, Visar Ganiu mund ta ndiqni këtu

Zeqirja Ibrahimi është deputet dhe garon për kryetar të komunës së Çairit, ndërsa thotë se partia e tij Lëvizja Besa duke qenë një parti e re që për së pari herë garon në zgjedhje vendore ka krijuar një përparësi për besueshmëri sepse kandidatëve të saj nuk u ka ndodhur që të mos i plotësojnë premtimet para votuesve.

“Në përgjithësi, programi ynë zgjedhor konsiston me luftën kundër korrupsionit dhe mafies urbane që është mjaft e fuqishme në komunën e Çairit, depolitizimin e arsimit, meremetimin dhe funksionalizimin e objekteve shkollore, ngritjen e cilësisë së arsimit nëpër shkollat fillore; pasurimi i bibliotekave të komunës së Çairit, kurse në pjesën e urbanistikës do të angazhohemi veçanërisht në rregullimin e kaosit urban”, shprehet z. Ibrahimi.

Intervistën e plotë me kandidatin e Lëvizjes Besa, Zeqirja Ibrahimi, mund ta ndiqni këtu

Ai vlerëson se për një pjesë të madhe të projekteve të tij ka fonde të mjaftueshme nga vetë komuna, nëse ato menaxhohen mirë. Por dhe nga buxheti shtetëror dhe fondet e organizatave evropiane:

“Ne kemi vendosur kontakte me një institut slloven i cili do të na ndihmojë në përpilimin dhe aplikim për projekte, ndërsa jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë edhe me fonde të tjera si Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim”, thotë Ibrahimi.

Kundërshtarët e zotit Ganiu e paraqesin atë në publik si një dorë të zgjatur të ish-strukturave drejtuese të komunës së Çairit, të cilëve, sipas kritikëve u ka munguar transparenca gjatë punës dhe projekteve, ndërsa komuna ka ngelur më e pazhvilluar jo vetëm brenda Shkupit por dhe më gjerë:

“Unë i kam bashkëpartiakë; por nuk kam ndonjë afërsi ose bashkëpunim në të kaluarën për komunën. Unë asnjëherë nuk kam qenë pjesë e ekipit të kryetarit aktual të komunës, kurse tek kundërshtarët e mi, një prej atyre që është më i zëshëm ka qenë këshilltar dhe bashkëpunëtor i kryetarit aktual, ndërkaq unë jam një energji e re, një frymë e re dhe kam një vizion të ri për Çairin”, shprehet Visar Ganiu.

Por, Zekerija Ibrahimi mohon të ketë qenë këshilltar ose bashkëpunëtor formal i komunës së Çairit, ndërsa thekson se nuk ka asnjë marrëveshje për angazhim, por thotë se shpesh herë i ka ndihmuar kryetarit të komunës (Izet Mexhiti) për paraqitjet e tij publike, fjalime e deklarata.

“Këtë e kam bërë pa asnjë kompensim, por thjeshtë në baza miqësore. Vullnetin e mirë për t’iu ndihmuar atyre mbi baza miqësore e shoqërore sot e shesin si disavantazh ose diçka të pahijshme që unë kam bërë, kjo flet për moralin e tyre”, thotë Zeqirija Ibrahimi.

Zoti Ganiu thotë se nëse e merr drejtimin e komunës do të shpallë një moratorium që hapësirat e gjelbra të mos preken, ndërsa planifikon blloqe banesore me kushte dhe standarde moderne.

“Ne kemi paraparë parkingun në kate tek qendra tregtare Çairjania, dhe jemi në procedurë e sipër për parcelat në këtë territor”, thotë garuesi i BDI-së.

Ngarkesa në trafikun e komunës së Çairit është shqetësues dhe për këtë premtojnë se do të angazhohen të gjithë garuesit, ndërsa zoti Ibrahimi thotë se do të angazhohej njësoj edhe për çështjet e arsimit e kulturës.

Qytetarët ndiejnë nevojë për zgjidhjen e kaosit urban dhe do të merresha çdo ditë pune me zgjidhjen e këtij kaosi, kurse për kënaqësinë time intelektuale do të kisha punuar shumë në ngritjen e cilësisë së arsimit në shkolla, veçanërisht duke nxitur fëmijët e vegjël të lexojnë më shumë libra”, thotë Ibrahimi.

Gara në Çair dhe jo vetëm është ashpërsuar sidomos midis Lëvizjes Besa dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, zyrtarët e të cilave përdorin një retorikë denigruese ndaj rivalëve politikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG